Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka dorëzuar dorëheqjen.
Ai iu drejtua më parë qytetarëve të mbledhur para ndërtesës së Presidencës.
Vuçiç mbërriti para ndërtesës së Presidencës, ku u prit nga një numër i madh mbështetësish, të cilët brohoritën në mbështetje të tij dhe ndezën pishtarë. Më pas, ai mbajti një fjalim para qytetarëve, duke folur për periudhën e presidencës së tij dhe për të ardhmen e Serbisë.
Duke kujtuar vitet e fundit, Vuçiç përmendi pandeminë e COVID-19 dhe luftën në Ukrainë, duke deklaruar se gjatë kësaj periudhe Serbia, sipas tij, arriti të ruante paqen dhe stabilitetin.
“Pati shumë momente të vështira gjatë asaj periudhe, nga Covid, te konflikti ukrainas-rus dhe gjithçka tjetër. Ne gjithmonë ia dolëm të ruanim paqen dhe stabilitetin e vendit tonë”, tha ai.
Vuçiç pranoi gjithashtu se gjatë qeverisjes së tij janë bërë edhe gabime, përfshirë prej tij personalisht.
“Pavarësisht se sa shumë kemi bërë, e di që kemi bërë shumë gabime, i kam bërë edhe unë. Kemi pasur shumë njerëz që janë sjellë me kokëfortësi. Kur marrin detyrën, harrojnë ata që i kanë zgjedhur dhe për të cilët janë zgjedhur. Dua ta ndryshojmë këtë së bashku në të ardhmen”, deklaroi presidenti serb.
Ai e cilësoi këtë mbrëmje si daljen e tij të fundit nga Presidenca në cilësinë e presidentit.
“Sonte është shansi im i fundit, hera ime e fundit si president në këtë ndërtesë të bukur. Kam qenë president i Serbisë për kohën më të gjatë në historinë serbe, që kur kemi futur demokracinë shumëpartiake. Krenar sepse kam mundur ta bëj këtë falë votave dhe mbështetjes suaj”, u shpreh Vuçiç.
Presidenti serb tha se e sheh me optimizëm të ardhmen e vendit dhe deklaroi se Serbia do të arrijë rezultate të tjera ekonomike.
“E shoh të ardhmen me gëzim sepse e di se na presin shumë fitore dhe suksese të tjera dhe se Serbia do të jetë edhe më e fortë në të ardhmen. Tashmë vitin tjetër do të jemi ekonomia më e fortë në Evropë”, deklaroi ai.
Në përfundim, ai deklaroi se dorëheqja nga posti nuk nënkupton tërheqjen e tij nga politika.
“Tani po pres të jap dorëheqjen, por lufta sapo ka filluar. Ne nuk lindëm në karrige. Dhe pa karrige, ne do t’i mposhtim ata”, u shpreh presidenti serb.
Vuçiç kishte njoftuar para udhëtimit të tij në Nju Jork se do të jepte dorëheqjen nga posti i presidentit dhe se më pas do të shpjegonte arsyet e vendimit.
Ndërkohë, një ditë më parë, gjatë një kokteji lamtumire me bashkëpunëtorët në Presidencë, Vuçiç deklaroi: “Të qenit President i Serbisë ishte nderi më i madh për mua. U përpoqa të bëja më të mirën çdo ditë, të justifikoja besimin që më ishte dhënë dhe t’i shërbeja vendit tim me besnikëri dhe ndershmëri. Rroftë Serbia!”.





