Bashkia Durrës zhvilloi dëgjesën publike për Programin Buxhetor Afatmesëm 2027–2029 në Njësinë Administrative Manëz, ku morën pjesë banorë, përfaqësues institucionesh, biznesi dhe grupe interesi.

Gjatë takimit u prezantuan prioritetet e bashkisë për tre vitet e ardhshme, me fokus te infrastruktura, shërbimet sociale, arsimi, politika fiskale dhe zhvillimi rural.

Në fushën e infrastrukturës u prezantuan disa projekte, mes tyre rehabilitimi i rrugës së Gjimnazit Manëz, ndërtimi i godinës së re të gjimnazit, terreni sportiv, markata e re, ndërhyrjet në kanalet kulluese e vaditëse dhe investime në rrugë të ndryshme të zonës.

Vëmendje iu kushtua edhe arsimit, me mirëmbajtjen e shkollave dhe kopshteve, përmirësimin e kushteve higjieno-sanitare dhe të sigurisë, si dhe pajisjen me mjete didaktike.

Programi përfshin gjithashtu mbështetjen për familjet dhe grupet në nevojë, strehimin social, lehtësitë fiskale, si dhe masa për zhvillimin rural, mbështetjen e fermerëve dhe fuqizimin ekonomik të grave në zonat rurale.

Gjatë dëgjesës, banorët e Manzës paraqitën propozimet dhe shqetësimet e tyre, të cilat do të shërbejnë në përcaktimin e prioriteteve për zhvillimin e zonës gjatë viteve të ardhshme.