Jo më gota, pjata dhe shumë produkte të tjera një përdorimshe plastike në sektorin e turizmit. Zëvendësimi i këtyre produkteve me alternativa miqësore ndaj mjedisit është një nga prioritetet e Bashkimit Evropian për të reduktuar ndotjen e ambientit.

Në kuadër të projektit “BE për ekonominë qarkulluese dhe qytete të jetueshme”, që po aplikohet në shumë qytete shqiptare hotel Adriatik në Durrës ishte një nga subjektet fituese të granteve të dhëna nga BE dhe të mbështetura nga qeveria gjermane, që këtë të martë prezantoi rezultatet pozitive nga implementimi i tij.

“Rezultate konkrete për 6 muaj: Kemi zëvendësuar gati 1 ton produkte plastike, që përdorej përgjatë kësaj periudhe kohore. Nga një ton produkte që përdorej në sezonet e kaluara, këtë herë ky rezultat ka ndryshuar në 0 përdorim të produkteve plastike. Produktet plastike një përdorimshe janë zëvendësuar me produkte të ekonomisë së qarkulluese, që mund të përdoren disa herë”,- thotë për “DurrësLajm” Endri Çela, koordinator i projektit për hotel “Adriatik”.

Projekti përfshinte zëvendësimin e produkteve plastike me alternativa miqësore ndaj mjedisit, instalimin e sistemeve të rimbushjes në të gjitha ambientet e hotelit, krijimin e infrastrukturës për ndarjen e mbetjeve dhe ofrimin e trajnimeve për stafin e kësaj strukture hoteliere. Në aktivitetin “Eco-Adriatik: Drejt një të ardhmeje pa plastikë” ishin të pranishëm përfaqësues të delegacionit të BE në Shqipëri, Giz Albania, ministritë e mjedisit, turizmit etj.

“Ky projekt përqendrohet në eleminimin e produkteve një përdorimshe të plastikës. Projekti e kemi pilotuar në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, por edhe në sektorin e turizmit, gastronomisë etj. Sot jemi në hotel “Adriatik” që e ka implementuar atë në mbështetje të zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm në Shqipëri”,- deklaroi Marsel Thomkins, drejtues i projektit.

Projekti “BE për ekonominë qarkulluese dhe qytete të jetueshme” kap vlerën 14 milionë euro dhe synon përshpejtimi e kalimit të Shqipërisë drejt një ekonomie qarkulluese, si dhe fuqizimin e bashkive për përmirësimin e menaxhimit të mbetjeve dhe infrastrukturës mjedisore.

M.B.