Është një nga monumentet më të rëndësishme të antikitetit dhe trashëgimisë kulturore, që qyteti, të cilin poeti romak Catullus e quante Taverna e Adriatikut, ka ruajtur deri në ditët tona.

Këtë vit mbushen plot 60 vite nga zbulimi i Amfiteatrit dhe me këtë rast Qendra Muzeore Durrës organizoi në ambientet e Muzeut Arkeologjik Kombëtar një ceremoni të veçantë, gjatë së cilës, drejtori i saj Alban Ramohitaj njoftoi vendimin e rëndësishëm.

“Nga ky takim dëshirojmë të shpallim iniciativën e re. Të njohim ditën e 14 prillit si ditën e amfiteatrit të Durrësit, në mënyrë që në çdo 14 prill amfiteatri ynë të marrë vëmendjen maksimale nga ana e profesionistëve të trashëgimisë dhe komunitetit”.

Të pranishmit patën mundësi të shihnin nga afër një ekspozitë fotografike, që, ndërmjet të tjerave, dokumentonte përmes fotove të rralla disa nga momentet më të rëndësishme të gërmimeve të bëra në këtë monument nga zbuluesi i tij Vangjel Toçi dhe stafi që e shoqëroi ndër vite.

Ky monument unik edhe në Ballkan u ndërtua në fillim të shekullit II të e.s. gjatë sundimit të perandorit Trajan dhe u zbulua  në vitin 1966 falë.. rastësisë.

“Nga muaji mars ra një shi i rrufeshëm, një rrebesh i fuqishëm në Durrës. Rrëketë u futën në oborrin e një shtëpie dhe gropa “gëlltiti” një fik, që ra në një nga humnerat e galerisë. Ishte nuhatja e Vangjel Toçit që tha se kemi rënë në strukturën e amfiteatrit”,– tha arkeologu Afrim Hoti.

Ndërsa udhëhiqte ekspeditat arkeologjike në amfiteatër në vitet 80, arkeologia Lida Miraj tregon detaje të rëndësishme. Po ashtu dhe restauratori Nelo Lukaçi.

“Për pjesën perëndimore kisha një ide se amfiteatri mund të ishte ndërtuar mbi strukturën e një teatri antik. Bëmë disa sondazhe por doli që amfiteatri është një ndërtim i ri, i bërë aty”,- thotë Miraj.

Gërmimet ndër vite për zbulimin e amfiteatrit u shoqëruan me zhvendosjen e 55 familjeve dhe prishjen e 33 banesave, ndërkohë që në ditët tona monumenti vijon të jetë i zbuluar pjesërisht. Për arkeologun Afrim Hoti zbulimi i plotë i tij duket i largët në kohë, pavarësisht projekteve aq shumë të debatuara vitet e fundit.

“Do shumë kohë të zbulohet, duhet të prishen shumë shtëpi. Periferia lindore e amfiteatrit përputhet me trotuarin e Rrugës Tregtare. Pra duhet të prishen tërë ato godinat. Mos prisni që jo ju, por edhe shumë gjenerata të tjera të themi që e zbuluam amfiteatrin”,– deklaroi arkeologu Hoti.

Zbulimi i amfiteatrit lidhet pazgjidhshmërisht me emrin e arkeologut Vangjel Toçi. Por a ka bërë qyteti bregdetar mjaftueshëm për të nderuar këtë figurë?

“Para 5-6 vitesh u përpoqëm të vinim një bust tek amfiteatri, por burokracitë nuk lejuan dhe busti ka mbetur pa vënë. Është prodhuar, por mbase mund të futet në interierin e Muzeut.Mendoj se një bust më shumë, apo një bust më pak ose një bust i munguar nuk do të thotë se është vlerësuar ose jo figura e tij”,- thotë arkeologu Afrim Hoti.

Në 60-vjetorin e zbulimit të tij në amfiteatër vijojnë ende ekspeditat arkeologjike. Prej disa ditësh, në këtë monument ka nisur ekspedita e radhës e e Institutit të Arkeologjisë, së bashku me universitetin e Chieti-Pescara-s. Në përfundim të kësaj ekspedite italo-shqiptare do të bëhen publike rezultatet e gërmimeve në nënshtresat e amfiteatrit antik.

M.B.