Eraldo Fizi, ish-bashkëshorti i Xhuana Nikollit, është vetëdorëzuar në Policinë e Lezhës, pasi ishte shpallur në kërkim për vdekjen e 25-vjeçares.
Fizi dyshohet se ka pasur përgjegjësi në ngjarjen që çoi në vetëvrasjen e Nikollit.
Xhuana Nikolli u vetëhelmua me fostoksinë mëngjesin e 10 marsit 2026, në banesën me qira në Tiranë ku jetonte. Ajo u dërgua në spital, por ndërroi jetë më pas në QSUT.
Sipas raportimeve, rreth orës 07:00, pasi shoqja e saj ishte larguar për në punë, Xhuana dyshohet se konsumoi fostoksinë. Më pas ajo kontaktoi me telefon një nga motrat që jetonte në Angli dhe i tregoi çfarë kishte bërë.
Çifti ishte martuar në vitin 2025, por martesa zgjati vetëm rreth 3 muaj, përpara se të ndaheshin.
Sipas hetimeve, dyshohet se Fizi kishte ushtruar dhunë ndaj ish-bashkëshortes dhe se kjo dhunë mund të ketë qenë shkak që 25-vjeçarja t’i jepte fund jetës. Pas ngjarjes, ai u shpall në kërkim nga policia.
Familjarët kanë deklaruar se një natë më parë, më 9 mars, Xhuana ishte takuar me ish-bashkëshortin e saj, Eraldo Fizin.
Tashmë, pas më shumë se 6 muajsh, Eraldo Fizi është vetëdorëzuar në Policinë e Lezhës, ndërsa pritet të merret në pyetje lidhur me rrethanat e ngjarjes.





