Një tjetër rast i infektimit me virusin e Nilit Perëndimor është konfirmuar në Shqipëri, duke e çuar në dy numrin e rasteve të regjistruara gjatë këtij viti. Edhe rasti i dytë është evidentuar në qarkun e Korçës. Konkretisht, rasti i parë u raportua gjatë muajit gusht dhe bëhej fjalë për një 72-vjeçar nga Korça.
Pas shfaqjes së problemeve shëndetësore, ai iu drejtua Spitalit Rajonal të Korçës, ku analizat konfirmuan infektimin me virusin e Nilit Perëndimor. Pas konfirmimit të rastit të parë, Instituti i Shëndetit Publik nisi hetimin epidemiologjik dhe entomologjik në qarkun e Korçës.
Specialistët zhvilluan kontrolle në terren për të verifikuar praninë e mushkonjave që mund të shërbejnë si transmetuese të virusit, ndërsa u morën edhe mostra nga banorë të zonës për analiza të mëtejshme. Virusi i Nilit Perëndimor transmetohet kryesisht te njerëzit përmes pickimit të mushkonjave të infektuara.
Në shumicën e rasteve, infeksioni nuk shkakton simptoma. Kur ato shfaqen, mund të përfshijnë temperaturë, dhimbje koke, lodhje, dhimbje muskujsh e trupore, të përziera dhe të vjella. Në raste të rralla, infeksioni mund të prekë sistemin nervor dhe të shkaktojë forma të rënda të sëmundjes.





