Një revoltë shpërtheu mbrëmjen e djeshme, 30 shtator, në burgun Don Bosco në Pisa të Italisë, pasi disa të burgosur, mes tyre dhe shqiptarë, pretenduan se kishin zbuluar pajisje përgjimi në qelitë e tyre.
Rreth 40 të burgosur morën nën kontroll një pjesë të burgut dhe bënë barrikadë. Ata kërkuan të takonin komandantin e policisë së burgut dhe drejtoreshën e institucionit.
Situata u vu nën kontroll vetëm gjatë orëve të vona të natës, pas negociatave dhe ndërhyrjes së forcave të policisë. Disa të burgosur, që dyshohet se ishin ndër organizatorët e revoltës, u transferuan në burgje të tjera në Toscana.
Sipas raportimeve, protesta nisi rreth orës 19:00, pas një transmetimi live në TikTok të bërë nga një prej të burgosurve. Transmetimi u ndoq nga afro 15 mijë persona përpara se të ndërpritej. Pak më herët, disa të burgosur kishin zbuluar në qelitë e tyre pajisje të vogla përgjimi, të vendosura dyshohet se për qëllime hetimore.
Gjatë transmetimit në TikTok, disa të burgosur u shfaqën me fytyrat e zbuluara dhe pa shenja të dukshme dhune. Ata folën në italisht dhe shqip dhe pretenduan se ishin goditur me shkopinj gome nga punonjësit e burgut. Të burgosurit kundërshtuan gjithashtu përdorimin e pajisjeve të përgjimit në qelitë e tyre dhe kërkuan të mund të flisnin lirshëm pa frikën se bisedat e tyre po përgjohej.
Në video, biseda në shqip e italisht vijon kështu:
-Obobo!
-Shkoni, copë m*ti!
-Mos, erdhën ore!
-Shkoni!
-Ju q**sha motrën! Shkoni, more plehra!
-Tani i rrethuan.
-I rrethuan ë?
-Po, po!
-Çoni frigoriferët! Bllokoni vendin!
-O vëlla thoni emrin e burgut!
-Mos, i vajtën!
Dhjetëra efektivë të policisë, karabinierëve dhe policisë së burgjeve mbërritën në Don Bosco për të rikthyer kontrollin. Gjatë ndërhyrjes pati përleshje mes disa të burgosurve dhe efektivëve, ndërsa në burg mbërritën edhe ambulanca për t’u ardhur në ndihmë personave që mund të ishin lënduar.
Sipas raportimeve, gjatë ndërhyrjes mund të jetë përdorur edhe gaz lotsjellës për të rikthyer qetësinë. Në pamjet e publikuara shihen efektivë me pajisje antirevoltë, mburoja dhe shkopinj, në shkallët që lidhin katet e burgut, ndërsa të burgosurit ndodheshin në anën tjetër të një porte metalike.
Pas negociatave, rreth 50 të burgosur u larguan nga pjesa e burgut që kishin marrë nën kontroll. Megjithatë, rreth 30 prej tyre qëndruan në pritje të një ndërmjetësi që pritej të mbërrinte nga Firence. Ndërkohë, jashtë burgut u mblodhën dhjetëra familjarë dhe miq të të burgosurve, të shqetësuar për situatën.
Përveç pretendimeve për përgjimin, të burgosurit ngritën edhe shqetësime për kushtet në burg, veçanërisht për mbipopullimin e qelive dhe gjendjen higjieno-sanitare të institucionit. Pas disa orësh tensione dhe negociatash, situata në burg u vu nën kontroll. Autoritetet nisën gjithashtu procedurat për transferimin e disa prej të burgosurve në institucione të tjera penitenciare në Toscana.





