Disidenti rus dhe ish-kampioni i botës në shah, Garry Kasparov, ka deklaruar se është paralajmëruar nga shërbimet e sigurisë lituaneze dhe amerikane se jeta e tij dhe ajo e bashkëpunëtorit të tij të hershëm, Ivan Tyurin, janë në rrezik.

Kasparov, i cili jeton në mërgim jashtë Rusisë, e bëri deklaratën përmes një postimi në rrjetet sociale të martën.

Sipas tij, të dy janë përfshirë në një listë objektivash për vrasje. Kasparov tha se lajmi nuk e kishte befasuar, por e cilësoi atë si një tronditje.

“Lajmi se unë dhe bashkëpunëtori im i hershëm dhe bashkëthemeluesi i Forumit të Rusisë së Lirë, Ivan Tyurin, jemi në një listë objektivash vrasjeje nuk më habiti, por është ende një tronditje”, shkroi ai.

Kasparov shtoi se shërbimet e sigurisë të Lituanisë dhe Shteteve të Bashkuara i kishin informuar për rrezikun dhe u kishin kërkuar të merrnin masa parandaluese.

“Shërbimet e sigurisë lituaneze dhe amerikane na informuan se jetët tona ishin në rrezik dhe se duhet të merrnim masa parandaluese. Unë e bëra këtë dhe do të vazhdoj ta bëj”, deklaroi ai.

Kasparov, një kritik i njohur i Kremlinit dhe i presidentit rus Vladimir Putin, është larguar prej vitesh nga Rusia dhe është aktiv në kundërshtimin e politikave të Moskës.