Salah Khashoggi, Djali i Jamal Khashoggit, gazetarit që u vra brenda një konsullate saudite në Stamboll në vitin 2018, ka thënë se ai dhe vëllezërit e tij i kanë falur vrasësit e babait.

Përmes një postimi në Twitter më 22 maj, Salah Khashoggi tha se familja e tij po i falte përgjegjësit për vdekjen e babait të tij. Falja, sipas tij, bëhet si pjesë e muajit të shenjtë mysliman të Ramazanit.

Jamal Khashoggi, një kritik i qeverisë saudite, ishte kolumnist i gazetës amerikane Washington Post. Zyrtarët sauditë kishin thënë se vdekja e tij ishte rezultat i një “operacioni mashtrues” dhe nuk ishte organizuar nga shteti.

Por, autoritetet më vonë ndryshuan deklarimin e tyre dhe thanë që Khashoggi ishte vrarë në një operacion të fshehtë nga një ekip që kishte shkuar ta rrëmbente atë dhe ta sillte në Arabinë Saudite.

Dhjetorin e kaluar, një gjykatë saudite dënoi me vdekje pesë persona, për rolin e tyre në vrasjen e tij. Megjithatë, një hetues i posaçëm i Kombeve të Bashkuara ka bërë thirrje për një hetim të pavarur të rastit.