Prej disa ditësh, pallatit të VIP-ave në bulevardin “Dyrrah” i janë vënë shiritat pasi do të shembet për shkak të dëmeve të rënda nga tërmeti i 26 nëntorit.

Banorët kanë nxjerrë orenditë shtëpiake nga apartamentet e tyre para se ditën e enjte të hidhen në erë vite jetë e kujtime në këtë godinë.

Mes tyre është edhe Andia, vajza aktore e kompozitorit të njohur durrsak, Agron Xhunga, e cila ka ardhur nga Tirana me qëllimin e vetëm për të shpëtuar pianon e të atit.

Instrumenti muzikor është nxjerrë nga banesa dhe është dërguar në mjediset e pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu” ku kompozitori Xhunga ka punuar për shumë vite.

“Është një emocion shumë i madh, gjithë fëmijëria, kujtimet, por të paktën pianon e shpëtova”, thotë ajo me nostalgji.

“Të gjithë krijimtarinë, babi e ka krijuar në këtë banesë. Janë me qindra këngë, disa shumë të sukseshme. Por s’kemi çfarë të bëjmë, fatkeqësi natyrore nuk e kemi ne në dorë”, shprehet e bija e kompozitorit Xhunga.

Në këtë ndërtesë, për plot 11 vite ka jetuar edhe këngëtarja e njohur dhe shumë e dashur për publikun shqiptar, Parashqevi Simaku, nipi i së cilës tregon se i kanë dhënë asaj lajmin e trishtë për shembjen e pallatit.

Godina 6-katëshe u shpall e pabanueshme dhe në bazë të ekspertizës së thelluar të Institutit të Ndërtimit duhet prishur.