Policia Kufitare parandalon dhe godet dy raste të mosdeklarimit  të të hollave në kufi, sekuestrohen 50.000 euro, ndërsa ka nisur procedimi në gjendje të lirë ndaj dy personave.

Njëri prej tyre, 49-vjeçar nga Kavaja u kap me 30.000 euro të padeklaruara, ndërsa një shtetas malazez me 20.000 euro të fshehura në tavanin e kabinës së mjetit.

Strukturat e DVKM Durrës, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës, proceduan në gjendje të lirë shtetasin B. S., 49 vjeç, banues në Gosë, Kavajë, pasi gjatë kontrollit të kamionit në administrim të tij u konstatuan dhe u bllokuan 30.000 euro të padeklaruara. 

Po nga strukturat e DVKM Durrës, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës u procedua penalisht edhe N. L., 45 vjeç, shtetas malazez. Në dalje të RSH-së, në PKK Port Durrës, shërbimet e Policisë Kufitare, gjatë kontrollit në kamionin me drejtues shtetasin malazez N. L., gjetën të fshehur në tavanin e kabinës së mjetit, një pako të mbështjellë me natriban, në të cilën ndodheshin 20.000 euro, vlera monetare të pa deklaruara në kufi. 

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.