Lajmi më i gëzueshëm për femrat gjatë kësaj kohë ishte rihapja e parukerive dhe qendrave estetike, të mbyllura prej dy muajsh për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Sigurisht, vendimi i qeverisë u mirëprit krahëhapur edhe nga drejtueset e këtyre bizneseve.

“Data e hapjes për ne ishte gëzim, na dukej sikur ishte dita e parë e punës tonë.”

Kështu deklaron për “DurrësLajm” Afërdita Mehmeti, pronare e “Afërdita salon & SPA” në Durrës ndërsa tregon se gjatë karantinimit, telefonatat nga klientet kanë qenë të shumta për të ditur një datë fikse se kur do mund të merrnin shërbimet e kujdesit të lëkurës.

Afërdita tregon se rihapja është bërë duke zbatuar me regorozitet protokollin e masave mbrojtëse të Ministrisë së Shëndetësisë, dezinfektimi i ambientit, i klientëve kur hyjnë në qendër, maska mbrojtëse, doreza dhe veshje e posaçme njëpërdorimshe si për klientet dhe personelin.

Por rihapja për këto subjekte vjen me kosto shtesë, si pasojë e masave mbrojtëse në bazë të protokollit të verdhë të masave higjieno-sanitare.

Pavarësisht kësaj, Mehmeti thotë se ende nuk ka menduar të aplikojë rritjen e çmimeve për trajtimet estetike.

“Do mundohemi që të ruajmë klientelën dhe të mos bëjmë rritje çmimesh.”, thotë ajo.

Për të marrë shërbime të tilla në fytyrë dhe trup, klientët dhe estetistja e kanë të vështirë të ruajnë distancimin social gjatë procesit të punës ndaj lind pyetja si do të kryhen ato në kohë pandemie?

“Ne kemi qenë gjithmonë të kujdeshëm por masat e sigurisë duhet të jenë dyfishe,” thotë ajo.                                              

Duke qenë se janë ditët e para të rihapjes, në këtë qendër estetike zona e relaksit nuk është ende gati për shkak të sigurisë, thotë Afërdita.

E duke u ndalur të siguria, ajo shprehet se frika e madhe e infektimit me Covid-19 ka kaluar dhe nëse do të zbatohen me rigorizitet masat mbrojtëse do të evitojnë, ndonëse do të jetë në kontakt të vazhdueshëm me klientë të ndryshëm.

G.D.