Jo vetëm shqiptarët kanë emigruar në Itali por edhe italianët drejt vendit tonë.
I tillë është rasti i Roberta Zaninoni-t, shtetasja italiane që merret me estetikë, e cila ka zgjedhur Durrësin për të jetuar, qytet që e konsideron si shtëpinë e saj të dytë.
Periudha e izolimit nuk ka qenë shumë e lehtë për Robertën, pasi në mars humbi të atin në Itali për shkak të koronavirusit dhe nuk mundi t’i jepte lamtumirën e fundit.
Kufinjtë u mbyllën dhe ajo bashkë me familjen e saj, vajzën e bashkëshortin u karantinuan në banesën e tyre në Durrës, dhe siç tregon, gjatë këtyre dy muajve kanë dalë nga shtëpia vetëm për të bërë shpenzimet e nevojshme e emergjente.
“Situata është me të vërtetë kritike, por tani po përmirësohet”, thotë ajo.
“Qëndrimi në shtëpi me vajzën nuk është i lehtë sepse, edhe ajo është e mërzitur, me leksione online. Këtë kohë po ja kushtojmë familjes sonë.”, vijon më tej.
Roberta kujton 13 marsin, një ditë e trishtë për të pasi humbi njeriu e dashur të familjes, babain e saj 71-vjeçar.
“Babai im ka vdekur më 13 mars dhe kur këtu ishte gjithçka e mbyllur e nuk mund të shkonim në Itali. Kur na erdhi lajmi nuk mund të lëviznim dhe akoma e kemi hirin në shtëpi, nuk kemi bërë funeral sepse në Itali nuk është e mundur. Nuk e di kur do shkoj në Itali për t’i dhënë lamtumirën e fundit.”, thotë ajo.
Më 1 maj, Roberta bëri një postim mjaft prekës në rrjetet sociale, ku shprehej se nëse i ati do të jetonte, do të festonte 72-vjetorin e lindjes.
Prej 6 vitesh Roberta është transferuar në qytetin e Durrësit dhe nga pas e kanë ndjekur edhe familjarët e bashkëshortit të saj, vjehrra dhe gjyshja.
Ajo thotë se ndihet shumë rehat në vendin tonë dhe e kënaqur pasi shqiptarët e kanë pritur krahëhapur.
“Ndihem shumë rehat, jam e kënaqur, është si shtëpia ime e dytë. Jetoj këtu me të gjithë familjen time. Janë transferuar edhe vjehrra dhe gjyshja për të më ndihmuar me vajzën. Duke qenë se unë punoj në estetikë dhe bashkëshorti në agrikulturë, vjehrra dhe gjyshja më japin një dorë ndihmë me vajzën. Shqiptarët me kanë pritur krahëhapur. Durrësi për mua është si një shtëpi e dytë.”
G.D.





