Çmimet globale të naftës shënuan rënie pasi presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se ka shtyrë një sulm të madh ushtarak ndaj Iranit, për shkak të negociatave që po zhvillohen me Teheranin.
Nafta e papërpunuar Brent, standardi global i tregut, ra me rreth 2% gjatë natës, duke zbritur nën nivelin e 110 dollarëve për fuçi.
Tregjet reaguan menjëherë ndaj deklaratës së Trump, pasi investitorët e interpretuan shtyrjen e sulmit si një sinjal për ulje të tensioneve në Lindjen e Mesme dhe shmangie të një përshkallëzimi që mund të godiste furnizimin global me energji.
Në një postim në “Truth Social”, Trump tha se kishte anuluar sulmin pas kërkesës së vendeve të Gjirit Persik dhe për shkak të asaj që ai e quajti “negociata serioze” me Iranin.
Megjithatë, presidenti amerikan paralajmëroi se SHBA mund të ndërmarrë një “sulm të plotë dhe në shkallë të gjerë” në çdo moment nëse nuk arrihet një marrëveshje me Teheranin.
Tensionet mes SHBA-së dhe Iranit kanë shkaktuar luhatje të forta në tregjet energjetike javët e fundit, sidomos pas kërcënimeve për bllokimin e Ngushticës së Hormuzit, rrugë kyçe për transportin e naftës në botë.





