Presidenti i Kubës, Miguel Díaz-Canel, ka deklaruar se vendi i tij nuk kërkon përballje me Shtetet e Bashkuara, por ka paralajmëruar se çdo veprim ushtarak kundër Kubës do të kishte pasoja të rënda dhe do të çonte në një “gjakderdhje me pasoja të pallogaritshme”.

Deklarata e tij u bë publike në rrjetet sociale dhe ka shkaktuar reagime të shumta, në një moment tensionesh të shtuara mes dy vendeve. Sipas presidentit kuban, Kuba nuk përbën kërcënim për asnjë shtet dhe nuk ka “qëllime agresive”, por ruan të drejtën e plotë për vetëmbrojtje nëse përballet me sulme apo kërcënime ushtarake.

Ai theksoi se kërcënimet e vazhdueshme nga SHBA përbëjnë një problem serioz për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe sipas tij, këto kërcënime mund të konsiderohen shkelje e së drejtës ndërkombëtare.

Deklaratat e Diaz-Canel erdhën pas një raporti mediatik që pretendonte se Kuba ka grumbulluar mbi 300 dronë dhe mund të ndërmarrë sulme ndaj forcave ushtarake amerikane ose madje edhe ndaj territorit të Floridës. Ky raport është pritur me skepticizëm nga disa ekspertë, por ka shtuar më tej tensionet politike dhe ushtarake mes dy vendeve.

Ndërkohë, administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka vazhduar presionin ndaj qeverisë kubane, duke përfshirë sanksionet e reja ndaj strukturave të inteligjencës së ishullit. Këto masa vijnë në një kohë kur ekonomia e Kubës po përballet me vështirësi serioze, përfshirë mungesën e energjisë elektrike dhe krizën e furnizimeve bazë për popullsinë.

Shteti i Kubës ndodhet prej dekadash nën embargo tregtare nga SHBA-të, një masë që ka ndikuar ndjeshëm në ekonominë e vendit. Megjithatë, autoritetet amerikane kanë shtuar presionin në muajt e fundit, duke u justifikuar me shqetësimet për sigurinë dhe politikën e brendshme të Kubës.

Brenda shtetit të Kubës, reagimet ndaj situatës janë të ndara. Disa qytetarë shprehen të vendosur për të mbrojtur vendin, pavarësisht vështirësive ekonomike, ndërsa të tjerë shfaqin lodhje nga kriza e gjatë dhe pasiguritë e vazhdueshme.

“E di që Kuba është një vend i fortë. Kubanezët janë shumë të guximshëm dhe nuk do të na gjejnë të papërgatitur”, u shpreh një qytetare për agjencinë Reuters. Ajo shtoi se në rast sulmi, vendi do të përgjigjet, edhe nëse situata ekonomike është e vështirë.

Tensionet mes Kubës dhe SHBA-ve mbeten të larta, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po ndjek me shqetësim zhvillimet që mund të ndikojnë në stabilitetin e gjithë rajonit të Karaibeve.