Zbulohet emri i personit të arrestuar si bashkëpunëtor në atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja, shtetasit Aleksandër Laho dhe shoferit Andi Maloku, që humbi jetë pas disa ditësh në spital.
Mësohet se personi i arrestuar është Arjol Halilaj. 29-vjeçari Halilaj ka lindur në Skrapar dhe eshte banues në Durrës.
Për këtë shtetas, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit e kryer në rrethana cilësuese”.
Nga tërësia e veprimeve hetimore rezulton se ky shtetas është bashkëpunëtori kryesor i autorëve të ngjarjes, pasi pas braktisjes së mjetit nga autorët, ky shtetas ka larguar me mjetin e tij autorët e krimit nga vendi ku braktisën mjetin me të cilin kryen krimin.
Menjëherë pas ngjarjes së ndodhur, si rezultat i veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore u bë kapja dhe arrestimi i njërit prej autorëve kryesorë të dyshuar të ngjarjes, konkretisht shtetasi Redian Rraja, 34 vjeç, lindur e banues në fshatin Nikël, Fushë Krujë.
Gjithashtu, po si rezultat i kontrolleve të shpejta në territorin e Drejtorisë Vendore Durrës, brenda një kohe të shkurtër, në fshatin Shkafane, Durrës, është gjetur i braktisur mjeti tip “Benz”, me targë AA342LM, që dyshohet se mund të jetë përdorur nga autorët e ngjarjes. Gjatë këqyrjes së këtij mjeti janë gjetur dhe sekuestruar edhe prova të tjera materiale, të cilat dyshohen se janë përdorur nga autorët, konkretisht: dy armë zjarri AK 47, dy maska, një sasi lënde djegëse dhe sende të tjera.
Policia e Shtetit, nën drejtimin e SPAK-ut, vijon punën për zbardhjen e plotë të kasaj ngjarjeje, kapjen dhe arrestimin e të gjithë personave të përfshirë në të.





