Megjithëse pas orës 17.30 asnjë qytetar që nuk është i pajisur me leje të posaçme nuk duhet të qarkullojë nëpër rrugë, jo të gjithë i binden masave strikte, madje lëvizin në oraret kur mund të gjobiten nga policia.
Disa prej tyre, jo vetëm lëvizin, por edhe vjedhin. Në redaksinë e DurrësLajm, një qytetar ka dërguar një video shkëputur nga kamera e sigurisë, ku duken 3 të rinj, që ndërsa lëvizin në lagjen nr.18, në rrugën “Mujo Ulqinaku”, ndalen tek një automjet dhe marrin tapat e gomave të makinës.
Qytetari i fton të rinjtë, që janë kapur edhe nga një kamerë tjetër sigurie të rikthejnë gjënë e vjedhur.
“Nuk ka aq shumë rëndësi ajo që kanë vjedhur, sesa gjesti i ulët që ata kanë bërë. Nuk bëhet fjalë për një vlerë monetare të madhe, por këta të rinj që nuk respektojnë rregullat e vendosur për të gjithë ne dhe që për më tepër edhe shkaktojnë dëme tek prona e personave të izoluar duhen ndëshkuar. Nuk do jetë e largët dita që do përfundojnë në komisariat, pasi unë do t’i dorëzoj në polici pamjet filmike. I ftoj t’i kthejnë vetë, sepse në të kundërt mund ta pësojnë mê keq”,– shkruan qytetari.
Në jo pak raste, gjatë këtyre javëve izolim, DurrësLajm ka publikuar foto dhe pamje filmike të kapura nga kamerat e sigurisë, ku duken hajdutët në veprim, nëpër lagje të ndryshme të qytetit.
Në këtë rast, nuk bëhet fjalë për vjedhje të mirëfilltë, por për të rinj që dëmtojnë pronën private dhe që nuk respektojnë masat kufizuese, duke dalë në orarin rreptësisht të ndaluar.
Askush nuk mund ta thotë me siguri, se ndërsa këtë herë vodhën diçka me vlerë të vogël materiale, herën tjetër nuk do të tundohen të bëjnë një dëm edhe më të madh.





