Një 39-vjeçar ka rënë në prangat e policisë pasi po qarkullonte me armë zjarri dhe armë të ftohta si dhe posedonte lëndë narkotike kokainë.
Mësohet se për t’iu shmangur kontrolleve, dyshohet se ky shtetas përdorte një emblemë të Policisë, e cila u gjet në makinë.
NJOFTIMI I POLICISË
Krahës-Tepelenë
Qarkullonte me armë zjarri dhe armë të ftohta, posedonte lëndë narkotike kokainë, vihet në pranga 39-vjeçari
Për t’iu shmangur kontrolleve, dyshohet se ky shtetas përdorte një emblemë të Policisë, e cila u gjet në makinë
Kapja e 39-vjeçarit, nga shërbimet e DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me FNSH Fier, në pikën e kontrollit në kufirin ndarës mes Tepelenës dhe Mallakastrës
Në vijim të veprimeve u vu në pranga edhe pronari i automjetit ku u gjetën sendet e kundërligjshme
Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri, 1 armë sportive, 2 armë të ftohta, doza me lëndë të dyshuar narkotike kokainë dhe një emblemë metalike si ato të Policisë
Shërbimet e Policisë, krahas angazhimit 24 orë për monitorimin e zbatimit të masave kufizuese për parandalimin e përhapjes së COVID-19, vijojnë punën për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë
Në këtë kuadër, në pikën e kontrollit në rrugën nacionale Tepelenë-Mallakastër, në afërsi të Liqenit të Krahësit, për ndarjen e zonave të gjelbra, efektivët e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër dhe të FNSH Fier, gjatë kontrolleve të imtësishme për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe atyre që qarkullojnë me armë zjarri apo me lëndë narkotike, evidentuan dhe arrestuan në flagrancë 39-vjeçarin B. H., banues në Tiranë
Nga kontrolli personal iu gjetën në trup doza me lëndë narkotike kokainë dhe nga kontrolli i automjetit që drejtonte ky shtetas u gjetën 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë sportive, 1 thikë, 1 dorezë metalike dhe 1 emblemë e Policisë
Nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në DVP Gjirokastër u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit B. H., 39 vjeç, banues në Tiranë
Gjithashtu, po në vijim të veprimeve u bë edhe ndalimi i shtetasit R. Ç., 36 vjeç, banues në Tiranë, pronari i mjetit
Materialet proceduriale në ngarkim të tij i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, “Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë ose sportive”, “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”





