Turqia është vendi i shtatë në botë për nga numri i rasteve të konfirmuara me koronavirus. Mbi 120 mijë persona janë të infektuar dhe 3 mijë të tjerë nuk i kanë mbijetuar dot sëmundjes.

Por autoritetet vërejnë se trendi i vdekshmërisë prej ditësh ka hyrë në fazën rënëse dhe masat e karantinës po e mbajnë nën kontroll pandeminë. Mijëra ekipe mjekësh shpërndahen çdo ditë në terren për të gjurmuar kontaktet e të infektuarve.

Në kryeqytetin e vendit, në Ankara, të dhënat e tyre koordinohen me sallën qendrore, dhe të sëmurët me Covid-19 udhëzohen të mbyllen në shtëpi për dy javë, edhe sikur të mos shfaqin simptoma.

“Në terren kemi 5,849 ekipe gjurmuese, që kanë identifikuar deri tani 468 mije persona si pjesë e zinxhirit të pacientëve me koronavirus. Çdo rast i konfirmuar kontakton mesatarisht me 4-5 veta. Rreth 99 për qind e tyre janë në monitorim,” tregon Fahretin Koça, ministri turk i Shëndetësisë.

Pandemia në vend thuhet se ka arritur kulmin e saj. Turqia vlerëson se sallat e saj spitalore të kujdesit intensiv janë në kapacitetet e duhura falë praktikës së transferimit të pacientëve në një fazë të vonë të sëmundjes.

Ndërkohë që përdorimi i hershëm i oksigjenit me presion të lartë, në vend të intubimit, kur të sëmurët shfaqin vështirësitë e para respiratore, por edhe injektimi i hidroksiklorokinës te rastet më të rënda, ka shkurtuar periudhën e shërimit.

Shoqata e Mjekëve Turq është shprehur më parë se në bilancin zyrtar të viktimave nuk përfshihen rastet e pacientëve që mund të vdesin nga Covid-19 por që nuk janë testuar si bartës të infeksionit.

Që nga zbulimi i rastit të parë, më 11 mars, Turqia aplikon metodën e testimit në masë duke kryer përditë deri 40 mijë të tilla në një popullatë me mbi 80 milionë banorë.

Situata me karantinën pritet të normalizohet në fundin e majit, ndërsa deri në mbylljen e muajit të Ramazanit, regjimi i shtetrrethimit të plotë do të aplikohet çdo fundjavë duke nisur nga e premtja.