10 mjekë e infermierë shqiptarë nga ekipi i 30 mjekëve që përfunduan misionin në ndihmë të Italisë së goditur nga pandemia Covid-19, po zënë titujt e medieve italiane, por këtë radhë jo për lavdet e ngritura për sakrificën e tyre, po për një rast të pazakontë.
Ata janë gjobitur me 500 euro për mos respektim të rregullave, ndërsa dy prej tyre për rezistencë e fyerje ndaj forcave të rendit, raporton “La Stampa“.
Bluzat e bardha po festonin fundin e misionit italian, po pinin birrë dhe dëgjonin muzikë në dhomën e tyre të hotelit. Kaq ka mjaftuar për të shtyrë pronarin e hotelit në Brescia ku ishte vendosur kontigjenti i mjekëve dhe infermierëve shqiptarë, për të thirrur policinë, pasi një festë e tillë nuk është e lejueshme për shkak të rregullave të pandemisë.
“Po mundohemi të zbardhim se çfarë ka ndodhur mbrëmë në hotelin e Breshias”, ka deklaruar për mediat këshilltari rajonal i Partisë Fratelli d’Italia Gianpaolo Natali, i cili e gjen të papërshtatshme që ky ekip mjekësh të mbërritur për të ndihmuar vendin të kthehen në shtëpi me gjoba prej 500 eurosh.”
“Do të kërkojmë ta analizojmë rastin në parlament “, ka thënë ai.
Selia e policisë po heton faktin.
Grupi i specialistëve shqiptarë, pritet të rikthehen në Tiranë pas një muaji të kaluar në front të luftës me Covid-19 në vendin fqinj.
S.L.





