Kreu i PD-së së Durrësit Ferdinand Xhaferaj, shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të mikut të tij, arkitektit të njohur durrsak Hajdar Kovaçi, i cili nuk e fitoi dot betejën me koronavirusin.

Lajmi i ndarjes nga jeta ishte i hidhur për familjen e të gjithë miqtë dhe të afërmit e Kovaçit, e siç shprehet Xhaferaj: “Familja jonë e madhe politike ka humbur një aktivist historik e të respektuar, ndërsa qyteti i Durrësit një intelektual të nderuar”.

“Dua t’i shpreh ngushëllimet më të sinqerta bashkëshortes Magda dhe djalit Admir. Dari përfaqësonte jo vetëm një profesionist modern e të dedikuar, por edhe një njeri modest e të palodhur, shembull i cili do të na mungojë të gjithëve”, shkruan Ferdinand Xhaferaj.

Intelektuali Hajdar Kovaçi humbi mbrëmë betejën e tij me Covid-19 në spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, ku ishte i shtruar prej mëse 3 javësh, në gjendje të rënduar shëndetësore, me insuficience respiratore akute. Udhëtimi drejt banesës së fundit për Kovaçin do të nisë në orën 12.45, kur edhe pritet që arkivoli me trupin e të ndjerit të përshkojë sheshin “Liria” të Durrësit e të përcillet me duartrokitje.