Shqipëria sot u trondit në pak orë nga dy krime që lanë pas katër të vrarë, dy në Lezhë dhe dy në Durrës.

Lidhur me këto ngjarje ka reaguar ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salinji. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai shprehet se këto vrasje tregojnë degradimin e rendit dhe sigurisë publike.

Ndër të tjera, ish-deputeti shprehet; “keqqeverisja dhe tallja me show po merr jetë njerëzish, po falimenton biznese dhe po shkakton trauma për qytetarët”.

Reagimi i plotë:

Katër të vrarë, dy në Lezhë, dy në Durrës në mes të rrugës tregojnë qartë degradimin e rendit dhe sigurisë publike, qesharakëzimin e postblloqeve me polici dhe me ushtri me mitraloza apo policë me syze dhe policë me armë nëpër godina bosh që qeveria i nxjerr për të bërë foto propagande.

Për fat të keq çdo ditë e më shumë keqqeverisja dhe tallja me show po merr jetë njerëzish, po falimenton biznese dhe po shkakton trauma për qytetarët.

Sot kushdo e kupton që masat e qeverisë janë për të izoluar të varfërit, qytetarët që respektojnë ligjin , bizneset e ndershme, ndërkohë që kriminelët me armë lëvizin lirshëm dhe vrasin ditën për diell.