Zbulohet plani për të rinisur kampionatin në fund të muajit maj mes datave 20 dhe 24.
Me një shkresë drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si dhe Ministrisë së Arsimit, Sportit e Rinisë, institucioni i futbollit kërkon nga autoritetet që të lejojë rifillimin e Kategorisë Superiore pa praninë e tifozëve.
Kërkesa e parë është që skuadrat të nisin stërvitjen më 2 maj, duke zbatuar masa të rrepta të higjienës.
Në rastin më të mirë në FSHF shpresojnë që Superiorja të rinisë me javën e 27-të më 24 maj dhe të mbyllet me javën e 36-të më 22 korrik. Sezoni futbollistik 2019-2020 është parashikuar të përfundojë më 26 korrik me finalen e Kupës së Shqipërisë.
KËRKESA E FSHF-SË
Të nderuara zonja ministre. Duke ju përgëzuar për masat e marra në përballimin e gjendjes së fatkeqësisë natyrore shkaktuar nga ‘COVID-19’, ju drejtojmë këtë kërkesë në emër të komunitetit të futbollit në Shqipëri. Në zbatim të urdhrit të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nr.132 datë 08.03.2020, FSHF ka pezulluar çdo aktivitet futbollistik në vend, përfshirë këtu ndeshjet e Kategorisë Superiore, si dhe ndeshjet miqësore të parashikuara për t’u luajtur nga ekipet kombëtare.
Njëkohësisht FSHF ka ndërmarrë një fushatë të koordinuar me FIFA-n për ndërgjegjësimin publik, duke përhapur njohuri në lidhje me rreziqet e këtij virusi, si dhe veprimet që mund të ndërmerren individualisht dhe kolektivisht për të zvogëluar ekspozimin ndaj ‘COVID-19’.Në bazë të direktivave të UEFAs, FSHF po bën të gjitha përpjekjet e arsyeshme për të përfunduar kampionatet në fushë, duke mos marrë vendime për përcaktimin e rezultateve në tavolinë. Për këtë qëllim, FSHF propozon që aktivitetet futbollistike për pjesën e mbetur të sezonit të luhen pa praninë e spektatorëve dhe në masa të rrepta higjiene.
Sugjerohet që faza stërvitore e domosdoshme për sportistët, të rifillojë më datën 2 maj 2020, me stërvitje standarde pa kontakt fizik, ndërsa kampionatet kombëtare të futbollit të rifillojnë rreth datës 20 maj 2020. Objektivi ynë i përbashkët mbetet shëndeti, prandaj FSHF shpreh gatishmërinë për të diskutuar dhe bashkëpunuar me ju dhe për të zbatuar me rigorozitet udhëzimet e ekspertëve, me qëllim kapërcimin sa më të shpejtë të situatës dhe rifillimin e jetës sportive në vend. Me konsideratë, Ilir Shulku, sekretari i përgjithshëm i FSHF-së”, citohej në shkresën drejtuar ministrive. Tashmë mbetet gjithçka në dorë të autoriteteve shtetërore për të miratuar ose jo propozimin e institucionit të futbollit shqiptar.





