Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur që t’iu urojë shqiptarëve një mëngjes të mbarë në një formë të veçantë, duke iu përgjigjur akuzave të opozitës sa i takon tenderave të qeverisë për të përballuar situatën e shkaktuar nga COVID-19.

Duke lënë këtë herë thëniet e shenjta, Rama ka publikuar në faqen e tij në “Facebook” një video ku shfaqet vetë përballë akuzave të opozitës dhe sqaron çmimet e maskave dhe veshjeve mbrojtëse.

Teksa ka shpërndarë një pjesë nga deklarata e ish-deputetit të PD-së Enkelejd Alibeaj për këto tendera sekretë, kryeministri jep përgjigjen e tij se nuk ka asnjë të tillë. “Çfarë sekreti ka këtu?! Nuk ka tendera sekretë, as kontrata sekrete.

Procedurat e tenderimit të përdorura për COVID-19 janë procedura të miratuara ligjore, për lidhjen e kontratave që diktohen nga interesat thelbësore të shtetit. Po të ishin sekrete nuk do të ishin publike.”, tha Rama.

Po ashtu në video është shkëputur edhe një deklaratë e Abielajt, i cili thekson në emër të PD-së se maskat mbrojtëse qeveria i ka blerë me një shifër 6.5 euro. Ndërkohë, Rama i përgjigjet kësaj akuze me një formë ironie, ndërsa shton; “Me vërte?! Maskat mbrojtëse FFP2 janë blerë me 4.14 euro”.

Kryeministri zgjedh që ta mbyllë videon, duke iu përgjigjur edhe akuzave të liderit të PD-së, Lulzim Basha, ndërsa shkruan se: “Boll! 7X7 nuk bëjnë 42”, duke i kujtuar kështu lapsusin e famshëm kryeopozitarit.