Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi e cilësoi menaxhimin situatës së krijuar nga koronavirusi nga ana e qeverisë një menaxhim diletantësh. Për Ora News, Kryemadhi u shpreh se kjo qeveri ka si synim të bëjë protagonizëm dhe jo të ndihmojë realisht qytetarët.
Kryemadhi: Të gjitha këto janë jo vetëm mungesë menaxhimi por dhe mungesë vizioni. Dilentantizëm të një menaxhimi. Këtu edhe një fëmije i klasës së parë do të dinte të menaxhonte një klasë të vetën. Jo më te jesh një qeveri e mos të dish të menaxhosh një situatë të tillë, që po ta krahasosh në mënyrën sesi ka funksionuar në historitë e tjerë në rastet e tjera që kemi pasur, gripi i derrit apo Sars etj me radhë, menaxhimi ka qenë i jashtëzakonshëm.
Pyetje: Sa i përket rastit të menaxhimit, ka pasur gjatë kohës që ju keni qenë në qeverisje me PD ose me PS, përmbytje në Shkodër apo raste të tjera dhe kemi parë protesta të këtyre qytetarëve që kërkonin dëmshpërblimet e tyre apo që kërkonin të drejtat e tyre. Pse duhet të themi që është menaxhuar më mirë atëherë se ç’është menaxhuar tani?
Kryemadhi: Po ju bëj një sqarim që ndoshta t’u kthej pak memorien. LSI në momentet e saj ka menaxhuar disa raste emergjencash. Ka menaxhuar përmbytjet e Shkodrës dhe mjafton të shkoni të pyesni popullatën e asaj zone të përmbytur saqë në fund fare filluan të kërkonin dhe farë djathi sepse gjëja e gjallë prodhonte aq shumë qumësht saqë nuk kishin më ku e hidhnin. Nuk ngordhi një dele, apo një lopë, qingj apo një qen, përkundrazi, biles u shtuan dhe u shumuan gjëja e gjallë për shkak të menaxhimit perfekt të gjithë asaj situate. Nuk u dëmtua asnjë gjë përsa i përket shtëpive etj, sepse vërtetë u mbushën me ujë por u zbrazën dhe komuna të ndryshme, zona të ndryshme, bashki të ndryshme u solidarizuan në ekip me grupet e tjera. Ndërsa përsa i përket situatës së epidemive siç ka qenë Sars apo gripi i derrit, unë do ju sugjeroja të thërrisni zotin Vasili i cili ka qenë në krye të menaxhimit të kësaj situate dhe ka qenë në perfeksion. Me modestinë më të madhe perfeksion mund të them. Sepse në këtë histori ka të bëjë dëshira për të ndihmuar njerëzit dhe jo protagonizmi për të bërë politikë dhe për të dalë për të folur për çdo gjë. Ajo që të bën përshtypje sot, nuk shikon sesa njerëz ke ndihmuar por sot do të thuash sa fotografi ke nxjerrë dhe sa lajme ke prodhuar. Kjo është e rëndësishme sot për qeverinë. Nuk ka rëndësi për qeverinë nëse ti je i sëmurë.





