Me debate të ashpra ka nisur kjo seancë e sotme parlamentare, ku përfaqësues të opozitës kanë kërkuar më shumë kohë për të folur.

Deputeti opozitar Ralf Gjoni duke folur nga vendi i tij, tha se duhet të rishihet vendimi që është marrë në Konferencën e Kryetarëve, ku opozitës t’i jepet më shumë kohë për të diskutuar. Ai tha se ndoshta maxhoranca nuk do opozitë, por “lëpirësa”, gjë që sipas tij nuk mund të pranohet. Ai tha se jeta parlamentare po cenohet rëndë.

“Ndarja e kohës së diskutimeve nuk është zbatuar. Koha e një grupi të maxhorancës, iu dha kryeministrit. Pra ekzekutivi që vjen për të dhënë llogari në Kuvend, merr edhe kohën e parlamentarëve. Nuk mendoj se koha duhet të ndahet përmes grupeve parlamentare. Duhet diskutuar për të ndarë kohën mes deputetëve. Ne na mohohet e drejta e fjalës. Unë druaj se cilësia e jetës parlamentare po cenohet rëndë ndaj vendimit që është marrë në Konferencën e Kryetarëve, në mënyrë që të kemi mundësi që të bëjmë opozitë. Nëse maxhoranca nuk ka dëshirë që të ketë opozitë, atëherë të ketë lëpirësa. Po ne nuk bëhemi të tillë, ndaj good luck”, tha Gjoni.