Një nga pikat më të nxehta të debatit të qeverisë me opozitën gjatë situatës së koronavirusit ka qenë aktiviteti i fabrikave të fasonerisë. Opozita ka kërkuar vazhdimisht mbylljen e tyre, ndërsa qeveria vendosi që ato të qëndrojnë të hapura “për të mbajtur në punë një nga pjesët kryesore të motorit të ekonomisë”.

Çështja ka ngjallur edhe më shumë debat ditët e fundit me rastet e shtuara në Krujë dhe Laç, ku punonjëse të disa fasonerive janë infektuar nga koronavirusi. Partia Demokratike denoncoi rastin duke thënë se kishte paralajmëruar për këtë situatë.

Në një video-mesazh në Facebook, kryeministri Rama nuk u shpreh në lidhje me rastet e Krujës dhe Laçit, por paralajmëroi bizneset fasone për penalitetet e reja nga të cilat rrezikohen pas miratimit të ndryshimeve në Kodin Penal.

“Sot nuk shkohet më në punë vetëm për të hapur dyqanin dhe per te bërë lekë. Por dhe për të mbrojtur shëndetin e punonjësve dhe blerësve. Për shembull, një biznes fason nuk ia hedhin dot më me një gjobë dhe mbyllje aktiviteti për përhapje me ose padashje të epidemisë me pasojë vdekjen e njerëzve. Mos i hapni dyert apo qepenat pa marrë leje në portalin e urryer e-albania, pa marrë dhe protokollin përkatës të sigurisë shëndetësore për llojin e bizneset tuaj. Task-forca anti covid që po ngrihet do të nisë kontrollet nga java tjetër. Nuk do ketë asnjë tolerim të mos kemi llafe.”, tha Rama.