Vërshojnë denoncimet e njëpasnjëshme për vjedhjet në pallate të ndryshme, kryesisht te lagjja nr.5 në Durrës.
Një tjetër banore, por te një pallat pranë ish-parkut sportiv (pallati në foto), pasi është njohur me dy rastet e publikuara më herët në “DurrësLajm” (lexo këtu), dyshon se i njëjti person ka vjedhur një biçikletë në pallatin ku ajo banon.
Është e njëjta strategji e ndjekur: autori shkon më parë në pallat, vëzhgon terrenin nëse ka biçikleta të cilat zakonisht qëndrojnë në hyrjet e pallateve apo sende të tjera me interesim, e më pas kthehet për të finalizuar vjedhjen.
Në këtë pallat vjedhja është shënuar ditën e diel më 19 prill rreth orës 18:30, kur autori ka shqyer me levë derën kryesore e më pas është futur brenda.
Madje ai është konstatuar nga një prej banoreve edhe më herët gjatë asaj dite, teksa hynte në pallat, por fillimisht personi që e ka parë ka menduar se po shkonte te ndonjë nga fqinjët.
Një prej personave që jeton aty sqaron për “DurrësLajm” se si ka ndodhur ngjarja:
“Ky person, që dyshojmë se është i njëjti që ka vjedhur edhe në pallatet e tjera të cilat i keni publikuar në portalin tuaj, është futur në pallatin tonë ditën e diel dy herë.
Një nga banoret e ka parë që ai ka ardhur në drekë, por nuk ka dyshuar fillimisht pasi ka menduar se po shkon te ndonjë fqinj. Por ai ka ardhur që të studiojë mirë e mirë pallatin. Dhe rreth orës 18:30, kur të gjithë ishim të mbyllur në shtëpi për shkak të orarit të karantinës, ai ka shqyer me forcë derën kryesore të pallatit me levë sepse ne e mbajmë të mbyllur. Ka marrë njërën nga biçikletat te hyrja, sepse tjetra ishte e lidhur.
Ka qenë i veshur me xhup blu dhe kapele të bardhë. E kemi denoncuar direkt në polici vjedhjen, por tashmë na ka hyrë frika. Teksa shohim që këto raste janë bërë të shpeshta në zonën tonë, po jetojmë me frikë për sa kohë nuk kapet asnjë hajdut…”
Brenda 24 orëve, ky është rasti i tretë që denoncohet në redaksinë e “DurrësLajm” për 3 pallate të ndryshme në lagjen nr.5, dy prej të cilave të dëshmuara edhe me pamje filmike.





