Në SHBA mediat raportojnë se autoritetet kanë nisur një hetim për të vërtetuar se COVID-19 është prodhuar në laborator. Nga ana tjetër, Kina refuzon që ta pranojë një variant të tillë ndersa thote se virusi u soll në Kinë nga jashtë dhe për këtë ka prova.

“Pesë organizata me reputacion përfshirë Xishuangbanna Tropical Botanical Garden dhe Central Botanical Garden nga Akademia Kineze e Shkencave kanë mbledhur të dhëna nga 93 specimenë të CoVid-19 nga 12 vende të ndryshme…Kërkimi zbuloi se “paraardhësi” më i hershëm i virusit është mv1, që evoluoi në haplotipet H13 dhe H38 dhe ata nga ana e tyre çuan drejt shfaqjes së brezit të dytë të haplotipit – H3, që evoluoi në H1. Virusi që u zbulua në tregun e peshkut në Wuhan ishte i llojit H1. Vetëm haplotipi H3 u zbulua në Wuhan më herët, por ai nuk ka të bëjë me tregun në atë qytet”, është shprehur ambasadori kinez në Moskë, Zhang Hanhui.

 Sipas tij kjo mungesë në zinxhirin e haplotipeve evolutivë provon se varianti H1 u soll në Wuhan nga ndonjë person i infektuar që përhapi epideminë.

“Sekuenca gjenetike nuk mund të gënjejë”, shtoi ai.

Hanhui ka hedhur poshtë akuzat duke kujtuar se përpjekjet e Kinës me karantinën e saj dhe ndërtimin e spitaleve i dhanë 2 muaj kohë botës. Në perëndim ka shumë dyshime për atë që ndodhi në Kinë, ndonëse Europa ka qenë shumë e rezervuar të ngrejë gishtin e akuzës.