Presidenti i Amerikës Donald Trump habiti udhëheqësit botërorë dhe ekspertët e shëndetit kur bëri njoftimin se po ndalte fondet për Organizatën Botërore të Shëndetit, në mes të pandemisë globale të Covid-19. Ai fillimisht kërcënoi se do ta bënte këtë gjë javën e kaluar, duke akuzuar OBSH për keqmenaxhimin e situatës dhe se nuk po vepronte në mënyrën e duhur.
Antonio Guterres, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara në një deklaratë, e përshkroi pandeminë si një rast i paparë duke shtuar se do të nxirren mësime nëse do përballemi me një situatë të tillë në të ardhmen.
Por çfarë roli ka luajtur OBSH në pandeminë e koronavirusit dhe sa jetik është fondi i SHBA për të?
OBSH është një agjenci e OKB e themeluar në vitin 1948, vetëm disa vjet pasi u formua vetë OKB-ja. Agjensia u krijua për të koordinuar politikën ndërkombëtare shëndetësore, veçanërisht në lidhje me sëmundjet infektive.
Organizata përbëhet nga 194 shtete anëtare. Çdo anëtar zgjedh një delegacion të përbërë nga ekspertë dhe udhëheqës shëndetësorë për të përfaqësuar vendin në Asamblenë Botërore të Shëndetit.
Shtetet anëtare kontrollojnë drejtpërdrejtë udhëheqjen dhe drejtimin e organizatës ndërsa kuvendi emëron drejtorin e përgjithshëm të OBSH-së, cakton axhendën dhe përparësitë e tij, rishikon dhe miraton buxhetet.
Në 70 vitet që nga themelimi, OBSH ka pasur pjesën e saj të sukseseve dhe kohët e fundit, ajo po i ndihmon vendet të luftojnë shpërthimin e etheve tropikale në Azinë Jugore dhe Juglindore, duke siguruar klinikat locale me të gjitha pajisjet e nevojshme. Por OBSH gjithashtu është përballur me kritika si të qënit tepër burokratik, i politizuar dhe i varur nga disa donatorë të mëdhenj.
Ku i merr paratë OBSH?
OBSH financohet nga disa burime: organizata ndërkombëtare, donatorë privatë, shtetet anëtare dhe organizata e saj OKB. Secili shtet anëtar është i detyruar të paguajë detyrimet për të qenë pjesë e organizatës këto quhen “kontribute të vlerësuara” dhe llogariten në lidhje me pasurinë dhe popullsinë e secilit vend. Këto taksa përbëjnë vetëm një të katërtën e financimit të përgjithshëm të OBSH-së.
Nga të gjitha vendet, SHBA është deri tani dhuruesi më i madh, ku vetëm gjatë vitit 2018 deri në 2019, ajo dha 893 milion dollarë. Nga kjo shumë 237 milion dollarë ishin detyrimet e kërkuara të anëtarësimit, dhe 656 milion dollarë ishin në formën e dhurimeve.
Vendi tjetër anëtar me kontributet më të madh është Mbretëria e Bashkuar, e cila pagoi 434.8 milion dollarë në taksa dhe donacione gjatë asaj periudhe të njëjtë kohore, e ndjekur nga Gjermania dhe Japonia. Kina kontriboi afro 86 milion dollarë kontribute të vlerësuara dhe vullnetare në atë periudhë.
Pse ka rëndësi kjo?
Kritikët prej kohësh pohojnë se shtetet anëtare kanë nivele të ndryshme ndikimi në OBSH për shkak të aftësive të tyre politike dhe financiare. Ata kanë vënë në dyshim nëse OBSH është mjaftueshëm e pavarur, duke pasur parasysh pasurinë dhe fuqinë në rritje të Kinës. Ndërkohë Trump dhe administrata e tij aluduan për rritjen e supozuar të kinezëve në lidhje me pandeminë.
“Sikur OBSH të kishte bërë punën e saj për të futur ekspertë mjekësorë në Kinë për të vlerësuar në mënyrë objektive situatën në terren dhe për të vënë në dukje mungesën e transparencës së Kinës, shpërthimi mund të ishte përmbajtur në burimin e tij me shumë pak vdekje“, tha Trump.
Sekretari i Shtetit Amerikan Mike Pompeo ishte më i paqartë, duke pretenduar se OBSH “nuk pranoi ta quante këtë një pandemi për një kohë jashtëzakonisht të gjatë sepse Partia Komuniste Kineze nuk dëshironte që të ndodhte.” OBSH u është përgjigjur këtyre akuzave duke i nxitur vendet anëtare të mos politizojnë pandeminë. “Shtetet e Bashkuara dhe Kina duhet të bashkohen dhe të luftojnë këtë armik të rrezikshëm,” tha drejtori i përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus në një deklaratë javën e kaluar.





