Ish-presidenti Bamir Topi, mendon njësoj si opozita sa i takon testimit të popullsisë për Covid-19.
Në një intervistë për Ora News, Topi tha se Shqipëria ka fatin të ketë një popullsi të vogël dhe testimi në masë është krejtësisht i mundur.
Për Topin, 30 milionë dollarë nuk janë asgjë për ta vendosur popullsinë në screening, përpara kostove të mëdha që mund të shkaktojë bllokimi i mëtejshëm i ekonomisë.
“Jemi apendiks i këtyre vendimmarrjeve, varemi shumë nga të tjerët. Jemi të detyruar dhe të “dënuar” që t’i përshtatemi mënyrës së sjelljes së vendimeve të BE. Por patjetër çdo vend bën llogaritë dhe bilancet e veta. Me popullsinë që ka Shqipëria, 3 milionë banorë, të krijon një lloj komoditeti që të fillojë testimi, duhet të fillojë. Për shans jemi pak, mundësia për ta futur në masë testimin është e mundshme. Kemi kapacitetet dhe duhet të bëjmë një llogari të thjeshtë. 30 milionë dollarë për ta vendosur popullësinë në screening nuk janë asgjë. Është çështje e vendimmarrjes. 30 milion dollarë nuk janë asgjë para shpenzimeve pa fund për gjëra të tjera që jemi mësuar t’i shohim. Duhet të mendojmë njëherë si shkencëtare dhe profesionistë dhe politika duhet të vijë mbrapa”.





