Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi pas mbledhjes online të Konferencës së Kryetarëve, se 9 aktet normative që lidhen me Luftën kundër Covid-19 dhe ligje të tjera të rëndësishme, do të shqyrtohen nga komisionet parlamentare duke filluar nga dita e hënë.
Balla shkruan në Facebook se sapo komisionet të përmbyllin punën e tyre online, Kuvendi i Shqipërisë do të vijojë me miratimin e tyre.
POSTIMI I PLOTË
Kuvendi i Shqipërisë mbledh Konferencën e Kryetarëve online. 9 aktet normative që lidhen me Luftën kundër Covid-19 dhe ligje të tjera të rëndësishme do të shqyrtohen nga komisionet parlamentare duke filluar nga dita e hënë. Sapo komisionet të përmbyllin punën e tyre online, Kuvendi i Shqipërisë do të vijojë me miratimin e tyre.
Gjithashtu Kuvendi sipas Rregullores do të shqyrtojë edhe dy dekretet e Presidentit, i cili ka refuzuar të dekretojë Ligjin Anti-KÇK dhe Ligjin për “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”.
Lidhur me të dytin, prej më shumë se një vit, është punuar dhe asistuar në një grup pune me ekspertë të Horizontal Facility Programme, financuar nga BE dhe Këshilli i Europës. Si BE dhe KiE kanë ofruar në dakordësi mes tyre një skuadër ekspertësh.
Grupi i ekspertëve drejtohej nga eksperti, që ka qenë dhe një nga ekspertët e Komisionit të Venecias për Opinionin mbi projektligjin e proceseve kalimtare të pronës në Shqipëri në tetor 2019. Ekspertet kanë sjellë komente me shkrim, sic dhe sqarohet në Raportin për ligjin dhe cdo koment është transpozuar në Ligj.





