Kremlini ka konfirmuar këtë të mërkurë se zyrtarët rusë janë në kontakt me anëtarët e administratës se presidentit të SHBA-ve Donald Trump. Megjithatë Kremlini nuk ka dhënë detaje lidhur me temat për të cilat Rusia po diskutin me Ameirkën.
Nuk ka informacione nëse diskutimet u fokusuan në përfundimin e luftës në Ukrainë. “Ka kontakte mes disa agjencive dhe ato janë intensifikuar kohët e fundit”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.
“Nuk mund të ndaj më shumë detaje”, tha Peskov.
Peskov hodhi poshtë gjithashtu gatishmërinë e shprehur së fundmi nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky për të negociuar paqen drejtpërdrejt me presidentin rus Vladimir Putin.
Presidenti amerikan Donald Trump tha të dielën se anëtarët e administratës së tij ishin tashmë në bisedime me autoritetet ruse për përfundimin e luftës në Ukrainë.
“Ne do të flasim dhe mendoj se ndoshta do të bëjmë diçka që do të jetë domethënëse,” u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë. “Ne duam t’i japim fund asaj lufte.”
Kur u pyet nëse ai kishte folur personalisht me Putinin në telefon, Trump u tha gazetarëve: “Nuk dua ta them këtë”.
Putin tha muajin e kaluar se ai ishte gati të takohej me Trump për të diskutuar luftën në Ukrainë, si dhe “fusha të tjera me interes si për SHBA-në dhe Rusinë”.