Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila është prezente sot në Samitin e Ukrainës që zhvillohet në Tiranë me bashkëdrejtues Presidentin ukrainas, Zelensky dhe Kryeministrin Rama, u shpreh se ditën e sotme në samit do të rikonfirmohet mbështetja e Kosovës për Ukrainën dhe për hapat konkretë që do të ndërmerren për të ndihmuar shtetin ukrainas.

“Do të kemi mundësi që si aleat në vlera, të japim mbështetjen për Ukrainën, siç kemi bërë që ditën e parë. Duke mbështetur ushtrinë ukrainase, sot në samit do të flas për hapat konkret që Kosova po i merr në këtë drejtim. Do të jemi këtu deri në fitoren e Ukrainës”, u shpreh Osmani.

Pyetjes se a do të diskutohet në lidhje me njohjen e Kosovës shtet nga ana e Ukrainës, Presidentja Osmani iu përgjigj kështu: Ne do të vazhdojmë ta bëjmë një kërkesë të tillë me mirëkuptimin se Ukraina është në gjendje lufte për lirinë dhe pavarësinë e saj. Jam e bindur se ai moment do të vijë bashkë me fitoren e Ukrainës.

Përsa i përket pyetjes nëse do të ketë ballafaqim me Presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, Presidentja Vjosa Osmani tha se për fat të keq, gjithmonë e kanë bërë një gjë të tillë, duke shtuar se “ata jetojnë në të kaluarën”.

“Fatkeqësisht gjithmonë kemi ballafaqime me to sepse ata jetojnë në të kaluarën”, tha Osmani.