Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, është pyetur në një konferencë për mediat nga gazetarët, nëse është takuar ndonjëherë me ish-zyrtarin e FBI, Charles McGonigal. Meta u shpreh se as e ka takuar dhe as ka tentuar ta takojë ndonjëherë McGonigal.

Më tej, ish-presidenti theksoi se informacionet e fundit që kanë dalë janë mjaft të rënda dhe tregojnë përfshirjen në skandalin McGonigal edhe të personave që kanë pasur probleme me ligjin.

“Absolutisht asnjëherë nuk jam takuar dhe as kam tentuar të takoj një person të tillë, por në Tiranë gjatë këtyre ditëve po zbardhen shumë të vërteta nga biznesmenë, njerëz që kanë dalë nga sistemi i drejtësisë. Me të kanë pasur mundësi të takohen edhe persona me probleme ligjore dhe bashkëpunëtorët e kryeministrit janë përpjekur ta kthejnë çështjen e non gratave në trafikun më të madh pas atij të drogës në Shqipëri”, tha Meta.