A mund të quhet hero një person që punon në këto kushte çnjerëzore dhe rrezikon të marrë infeksione që mund të vërë në rrezik jetën e tij?

Personi që shihni në foto, siç bën me dije “Nisma #Thurje” që e ka publikuar, është një punonjës i Bashkisë së Vlorës që po punon për të zhbllokuar kanalizimet.

Ai e ka zhytur trupin totalisht në një pusetë me ujëra të zeza me qëllim që të zhbllokojë kanalizimet, por me sa duket nuk ka marrë parasysh rrezikun që i kanoset  shëndetit të tij, ose ndoshta nuk ka pasur zgjidhje tjetër e ka qenë i detyruar.

Për këtë qëllim atë e kanë quajtur ‘hero të ditës’, por reagimet e komentuesve kanë qenë të menjëhershme dhe nga më të ndryshmet.

Të shumtë janë ata që e konsiderojnë punën në këto kushte të shëmtuar dhe çnjerëzore dhe i sugjerojnë punëtorit që të kërkojë të drejtat e tij tek eprorët, ndërsa ka nga ata që shprehen se ndoshta kanë qenë pikërisht eprorët që e kanë detyruar të futej në atë llum.

Por një komentuese, që siç shprehet ajo e njeh këtë zotëri, thotë që ai jeton në kushte mjerane dhe mbi të gjitha ka dhe një fëmijë të paralizuar në shtëpi të moshës 28 vjeç.