Andi Bushati

Basha e ka të gjithë kohën përpara. Zgjedhësit i dhanë një mësim të ri. Si një nxënësi rishtar i hoqën me votë të gjitha mundësitë ku ai mund të gabonte. I mblodhën të gjitha përgjegjësitë mbi supet e pushtetit të Ramës dhe Metës, duke ia shumfishuar atyre mundësinë e korruptimit dhe brerjes nga pushteti. Në këtë kuptim ata ia lehtësuan punën Bashës.

Lulzim Basha nuk kish humbur kurrë më parë. Në vitin 2005 kur u katapultua në PD, ai bëri një fushatë brilante nën petkun e KOP-it dhe arriti të mundë në sistemin mazhoritar, një kandidat tejet të vështirë si ministri aktual i Ekonomisë, Ahmetaj. Katër vite më pas, ai udhëhoqi grupin e deputetëve të Elbasanit dhe sërish arriti një rrezultat që PD-ja nuk e imagjinonte kurrë. Edhe në garën për Bashkinë e Tiranës, ai “u mund” vetëm me dhjetë vota nga shefi opozitës Rama, megjithëse për ta shndërruar më pas një humbje të lavdishme në një fitore të turpshme, mendoi mentori i tij politik Berisha. Ishte i njëjti që zhyti sërish duart në zgjedhjet partiake për t’i siguruar Bashës, jo vetëm vendin e pasardhësit, por edhe aureolën e njeriut të pamposhtshëm në zgjedhje.

Por rregulli i artë i politikës dëshmoi edhe njëherë këtë 21 qershor, se kjo rracë politikanësh nuk mund të ekzistojë. Basha këtë rradhë humbi thellë, në mënyrë plebishitare duke vënë në pikpyetje jo vetëm statusin e tij prej fituesi të përhershëm, por duke ngritur shumë pikpyetje edhe për mënyrën se si ai e ka drejtuar këto dy vite opozitën.

Po si ndodhi që ky fitues serial pësoi këtë disfatë? Si shpjegohet që pasi i kërkoi një muaj me rradhë shqiptarëve një referendum kundër dyshes Rama- Meta, ata e dënuan duke mos i dhënë asnjë nga qytetet e mëdha? Si duhet kuptuar ky dënim i opozitës, përballë një shumice arbitrare e selektive, që po dështon për ta ringjallur ekonominë e vendit dhe vendosjen e rendit?

Përgjigjet për këto pyetje janë të pafundme. Por ajo më kryesorja duhet kërkuar tek dritshkurtësia e Bashës për të reflektuar për një milionë votat e dy viteve më parë. Ndaj këtij ndëshkimi të rreptë që i dhanë shqiptarët, PD-ja reagoi me arrogancë dhe shurdhëri. Që kur organizoi zgjedhjen e kryetarit të ri, ajo iu shmang analizës së humbjes. Në PD-në e re, që lindi nga një padrejtësi (fitorja ndaj Olldashit), u krijua ideja se zgjedhjet e kaluara ishin humbur pasi Rama i gënjeu shqiptarët dhe jo për krimet e qeverisë Berisha. Edhe kur në kuvendin e partisë u vendos të hidhej një vështrim nga e shkuara, faji për humbjen e 2013-ës iu vu disa zyrtarëve të nivelit të dytë dhe të tretë që kishin tradhëtuar aspiratat e ndritura të një qeverie të lodhur 8 vjeçare.

PD-ja e re vendosi të ngrihej mbi këtë frymë. Ajo qe më shumë e preokupuar për të mbrojtur bilancin e telendisur të qeversë Berisha, sesa për të ndërtuar një vizion për të ardhmen. Ajo ecte me kokën e kthyer nga pas, në vend që të drejtonte shikimin nga e ardhmja. Hija e patriarkut që drejtonte “de facto” pas kuintave ishte ende e plotfuqishme. Kush mbronte më mirë bilancin e Berishës, bënte përpara në PD-në e re, madje mund t’i jepej e drejta të kandidonte edhe në ndonjë bashki të madhe. Kush tregonte besnikëri ndaj të shkuarës, shpërblehej me postet e së ardhmes.

Në vend që të lexonte votën ndëshkuese të shqiptarëve, partia e Bashës filloi të shpikë kinezërira të tilla «se ne nuk jemi familje që presim koka » se ne « nuk bëjmë gjueti shtrigash ».

Po t’i shtosh kësaj panorame edhe figurën e kudondodhur të Berishës, bilanci bëhet edhe më i errët. Disa nga pikat më të forta të denoncimit opozitar, që nga afera e armëve kimike, e deri tek avionët e drogës që uleshin në aeroportet tona, i përvetësoi ish kryeministri. Ato nuk u shfrytëzuan si trampolinë për t’i dhënë zë figurave të reja dhe fytyrave të panjollosura. Protagonizmi patologjik i Berishës dhe paaftësia e Bashës për t’i vënë fre atij, bënë që partia me kryetar të ri të dukej sërish e vjetër.

Dhe kjo lloj vjetërsie nuk ishte vetëm në formë. Mendësia se kur qeverisnim gjithçka e kemi bërë mirë e ndoqi Lulzim Bashën edhe në ushtrimin e detyrës së tij si kryetar bashkie. Ai vazhdojë ta drejtojë Tiranën sikur asgjë të mos kishte ndodhur, me të njëjtët klientë dhe me të njëjtat lobe që e mbështesnin. Të gjitha të trashëguara nga pushteti i vjetër, i dënuar me votë. Po të njëjtëve klientë të pushtetit të Berishës, Basha u dha leje ndërtimi skandaloze në Tiranë. Po të njëjtëve miq të familjes, ai u hapi portat e ndërtimit poshtë digës së liqenit. Po me të njëtën mendësi të pushtetit të shkuar, ai tentoi të japë për një çerekshekulli parkingjet e Tiranës me konçesion, në një aferë të pastër klientelizmi, oligarkiko- mediatik.

Të gjitha këto së bashku treguan edhe njëherë, në dritën e diellit, se PD-ja nuk kishte ndryshuar aspak. Se ajo i qëndronte besnike asaj që Berisha e shkruante shpesh në Facebook, se në 2013 shqiptarët votuan gabim sepse u gënjyen nga premtimet e Ramës. Kjo paaftësi për t’u transformuar u pa qartë edhe në këtë fushatë humbëse.

Megjithëse arriti të bindë një politikan vërtet atipik, si Halim Kosova, të garonte në Tiranë, PD-ja nuk i la kurrë atij hapësirën e nevojshme për të manovruar. Ajo e ngurosi doktor Halimin aq keq, sa ai dukej një kandidat pa memorie dhe pa qëndrime për të shkuarën. Ai nuk kishte asnjë përgjigje të gatshme, as për 21 Janarin dhe Gërdecin, as për lejet e Bashës në Tiranë dhe mundohej ta bindte elektoratin duke thënë si babaxhan se ai nuk i gjykonte paraardhësit. Të vetmin gjykim të ashpër që pati, ishte se bashkisë së Lulit i fshihej boja e vijave të bardha nga asfalti. Madje si të mos mjaftonte kjo përkujdesje e kandidatit të Tiranës për të mos gjykuar të kaluarën e afërt, ndryshe nga fushata e doktor Halimit, njerëzit e Bashkisë dilnin në media për ta prezantuar atë si vazhduesin e veprës së Bashës. Me insistim dhe me këmbëngulje. Sikur e shkuara të qe pika e fortë e PD-së, aq rrezëllitëse sa mund të ndriçonte edhe të ardhmen. Kështu në këtë fushatë PD-ja krijoi një paradoks mbi paradoks. Nëse Berisha ishte pesha e mëkatit të së shkuarës që e tërhiqte Bashën për poshtë, ky i fundit luante të njëjtin rol ndaj Halim Kosovës. Në vend që ta ndihmonte, ai e penalizoi kandidatin e Tiranës.

Pak a shumë e njëjta fabul ndodhi edhe me kandidaten tjetër të rëndësishme të PD-së në Durrës. Vërtet Grida Duma bëri këtë muaj një fushatë të qetë, konsensuale, me tone bashkëpunuese me qeverinë qëndrore, por ky imazh i ambalazhuar për një muaj, nuk mund ta tjetërsonte dot imazhin e Gridës luftarake. Kjo fushatë nuk mund ta shuante faktin se Duma arriti deri aty, nga panelet e zjarrta të debatit, ku ajo u shndërrua për një kohë në ikonvn e mbrojtjes të Berishizmit demode. Pikërisht kjo besnikëri e vonshme ndaj liderit të larguar, përpjekja që pamja plot sharm e Gridës të shërbente si makiazh për mëkatet e pushtetit të doktorit, e katapultuan atë në PD. Grida shkoi në Durrës më shumë si një dëshmi e besnikërisë ndaj të shkuarës dhe jo si një projekt i ri i të ardhmes. Dhe me një muaj fushatë, ajo nuk e fashiti dot këtë imazh.

Pikërisht kjo lidhje e fortë me bilancin e shkuar të Berishës, hija e tij, që sillet si fantazëm mbi figurat e reja të PD-së, i kanë bërë me siguri shumë njerëz, të mendojnë se PD-ja është një parti e parinovueshme, me fytyrë nga e shkuara, aspak e lirë për t’iu përshtatur kohëve të reja dhe aspak e zonja për të ringritur diçka të ndryshme, mes hirit që la ish pushteti i saj i gjatë. Ndoshta këtu duhet kërkuar edhe humbja në këto zgjedhje lokale.

Por ato në vend që të shihen si disfatë, duhen trajtuar si njëftesë e dytë që PD-ja të ketë mundësi të reflektojë. Sado e madhe të duket sot humbja e parë e thellë e Bashës, ajo nuk është e tillë. Edhe njëherë zgjedhësit i kanë dhënë atij mundësinë për të ndryshuar. I kanë hequr nga supet një tabelë të madhe qitjeje (Bashkinë e Tiranës). E kanë zhveshur nga administrimi plot afera, probleme dhe pasuksese i bashkive të mëdha. Sot do të qe çmenduri që opozita të qante ato vende pune që ka humbur në disa bashki të vendit, sepse sot ajo ka fituar një gjë të pa llogaritshme, lehtësimin përfundimtar nga pesha e pushtetit.

Por kjo humbje plebishitare ka edhe një përparësi tjetër. Ajo e ka tjetërsuar imazhin e viktimës së saj. Zgjedhësit edhe njëherë e kanë bërë Bashën të duket njerëzor dhe normal, duke i dhënë statusin e të mundurit, përkundrejt portretit që kishte deri tani: atij që të gjitha fitoret ja siguron Berisha protektor.

Ndaj kjo disfatë sado e madhe që të duket në pamje të parë, në fakt nuk është e tillë. Duke menduar se sfida reale e Lulzim Bashës është viti 2017, ky paralajmërim i ka ardhur në kohën e duhur. Ai ka një shans. Gabimet e opozitës harrohen lehtë. Asaj i mjafton vetëm gara me fotofinish, nëse ndeshet me një pushtet të asfiksuar dhe të lodhur. Dhe Basha e ka të gjithë kohën përpara. Zgjedhësit i dhanë një mësim të ri. Si një nxënësi rishtar i hoqën me votë të gjitha mundësitë ku ai mund të gabonte. I mblodhën të gjitha përgjegjësitë mbi supet e pushtetit të Ramës dhe Metës, duke ia shumfishuar atyre mundësinë e korruptimit dhe brerjes nga pushteti. Në këtë kuptim ata ia lehtësuan punën Bashës. Ata i lanë vetëm një mision, nga i cili edhe po të donin nuk e shpëtonin dot. I lanë një detyrë që duhet ta bëjë vetë: ta shkëpusë PD-në nga e shkuara dhe imazhin e tij nga hija dominante e Berishës. Vetëm këtë. Që është në fakt sfida e tij reale dhe e vërtetë. Nëse e ka me gjithë mend ti rikthehet fitoreve të dikurshme. 

 

 

Lapsi.al