Kryeprokurori i SPAK, Altin Dumani ka kërkuar nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit shkarkimin e kryeprokurorit të Lezhës, Erjon Shehaj, pasi listoi shkeljet e këtij të fundit.

Altin Dumanim i cili përfaqëson Institucionin e Prokurorit Publik në këtë seancë, është shprehur se Erjon Shehaj nuk ka kryer veprime hetimore, duke mos sekuestruar kamerat e sigurisë.

“Kërkoj ndryshimin e vendimit të KPK dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Erjon Shehaj”, u shpreh në seancë drejtuesi i SPAK, i cili ka marrë kompetencat e Institucionit të Prokurorit Publik pas përfundimit të procesit të vettingut.

Gjatë renditjes së shkeljeve të Kryeprokurorit të Lezhës, Altin Dumani u ndal tek dy çështje të hetuara nga Erjon Shehaj, në të cilat sipas tij janë konstatuar shkelje.

Dumani deklaroi gjatë seancës në KPA se Shehaj nuk ka kryer hetime për një rast të drejtimit të automjetit në mënyrë të parregullt, duke favorizuar pozitën e te akuzuarit.

Ndërsa për një çështje të 2017, sipas kreut të SPAK, rezulton se 2 persona janë dënuar dy herë për të njëjtat vepra penale.