Ndërsa kryeministri Berisha fton të gjithë shtetasit shqiptarëdhe të huaj për të investuar në vendin tonë, vend i cili sipas tij ofron lehtësirat e duhura për të hapur një biznes, por njëkohësisht edhe rend e siguri publike, këto të fundit vihen në pikëpyetje. Një shqetësim i tillë ngrihet nga pronari i një biznesi të vogël, që përmes një letre u shpjegon instancave më të larta shtetërore frikën e tij për të ushtruar lirisht aktivitetin privat. Adrian Sino, një emigrant i kthyer sëfundmi në atdhe për të investuar në një biznes të tijin, shprehet se ndihet i kërcënuar vazhdimisht dhe i pasigurt përsa i përket zhvillimit të aktivitetit të tij privat.

Sino prej disa kohësh ka hapur një minimarket, vend në të cilën është vet punësuar ai dhe familjarët e tij. Deri para pak kohësh, gjithçka në biznesin e tij dukej se funksiononte më së miri, por një ngjarje e rëndë e ka tronditur jo pak Sinon, por edhe familjarët e tij. Teksa e ndjen si një detyrim moral, ai ka vendosur të flasë në emër të të gjithëbiznesmenëve të qytetit të Durrësit, duke apeluar për më shumë rend e qetësi dhe për më shumë bashkëpunim mes Policisë dhe biznesmenëve. 40-vjeçari Adrian Sino, teksa tregon se sa i pasigurtë ndihet gjatë kohës që ushtron aktivitetin e tij në lagjen numër 18 të qytetit bregdetar sjell dhe njëherë në vëmendje ngjarjen e ndodhur në minimarketin e tij në mes të muajit gusht. “6 persona, të pajisur me mjete të forta si leva hekuri, thika e armë zjarri të llojit pistoletë, në orët e vona të darkës kanë mbërritur në minimarketin tim, kohë në të cilën ndodhej aty bashkëshortja ime si dhe dy fëmijët.

Pasi më fyen dhe tentuan të më godisnin me levë hekuri, vunë në veprim pistoletën duke qëlluar katër herë drejt meje dhe familjes sime, që në atë kohë ishte në dyqan”,- tregon biznesmeni Sino. Ai vijon më tej duke shpjeguar se plumbat e qëlluar në drejtim të tyre rrezikuan jetën e fëmijës së tij 12-vjeçar, të cilin fatmirësisht nuk e dëmtuan, por e terrorizuan maksimalisht. Pas kësaj gjashtë personat e armatosur janë larguar me shpejtësi nga minimarketi. I tronditur dhe i frikësuar për jetën e tij dhe të familjarëveSino tregon se ka njoftuar Policinë e Durrësit e cila ka mbërritur në vendngjarje pas më shumë se 20 minutash nga koha e njoftimit, ndonëse distanca e drejtorisë së policisë së qarkut Durrës me minimarketin e tij ishte vetëm pesë minuta larg. Pasi kanë këqyrur vendin e ngjarjes dhe kanë mbledhur provat materiale (mes tyre dhe katër gëzhojat e pistoletës), Sino sqaron se efektivat e policisë janë larguar, duke nisur hetimin për çështjen në fjalë.

Një javë pas ngjarjes së rëndë, ku Adrian Sino rrezikoi jetën sëbashku me familjarët e tij, ai ka mundur të shohënjërin nga autorët e ngjarjes dhe menjëherë ka kontaktuar me inspektorin e zonës. Por, ky i fundit sipas biznesmenit durrsak është mjaftuar vetëm duke thënë: “Po ta shihni prapë, na lajmëro”. Që nga ajo ditë e deri më sot, kur ka kaluar më shumë se një muaj e gjysëm, Sino pohon se nuk ka asnjë dijeni se çfarë është bërë në lidhje me identifikimin apo arrestimin e personave që kërcënuan dhe qëlluan me armë në minimarketin e tij. Aithotë se ndihet i kërcënuar nga mosveprimi me shpejtësi i organeve të rendit dhe mos ndalimi i autorëve. Duke mos pasur besim tek ndërhyrja e forcave të rendit 40 vjeçari i është drejtuar me një letër instancave më të larta shtetërore si presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishanit, kryeministrit të vendit Sali Berishës, ministrit të Brendshëm Flamur Nokës si dhe prokurores së përgjithshme Ina Rama, letër në të cilën ai ka përshkruar me detaje ngjarjen e rëndë si dhe ka rrëfyer për rrezikun që i kanoset nga mosveprimi i organeve policore.

Ndonëse rastet e grabitjes apo dhunimit të aktiviteteve private si restorante, argjendari apo filiale banke në qytetin bregdetar të Durrësit kanë qenë të shumta, nga ana e policisë nuk është njoftuar arrestimi i ndonjërit prej tyre, përveç vjedhjeve të klasifikuara nga policia si “ordinere”. Në qytetin bregdetar janë të shumta rastet ku çdo ditë kërcënohen dhe grabiten me dhunë pronarët e dyqaneve, punonjësit e lokaleve, njerëzit e thjeshtë që kalojnë nëpër rrugë, gratë apo vajzat të cilave në mënyrë të dhunshme u shkulen nga qafa zinxhirët e floririt apo u rrëmbehen çantat e dorës. Në një rast, këto grabitje u shoqëruan me viktimë, të riun Juxhin Guza, autorët e vrasjes së të cilit ende nuk janë identifikuar, kapur dhe nxjerrë para drejtësisë.

Rast i ngjashëm në Berat

Një ditë pasi denoncoi një grabitje në supermarketin e tij në lagjen "Çlirim" në qytetin e Beratit, pronari i supermarketit është plagosur me armë në kokë dhe gjendja e tij është kritike. I dëmtuari është shtetasi Armando Kocilera, i cili u qëllua disa ditë më parë gjatë orëve të paradites nga persona që janë ende në kërkim. Banorët e zonës i kanë dhënë ndihmën e parë dhe e kanë dërguar në spital, ndërkohë që janë shoqëruar personat e pranishëm në supermarket për të dhënë shpjegime. 
Policia po heton për lidhje mes autorëve të grabitjes së ndodhur në këtëbiznes privat dhe plagosjes së pronarit të tij. Burimet policore bëjnë të ditur se janë identifikuar disa persona dhe po punohet për kapjen e tyre.