Me 18 shkurt në mesditë, kur gazeta Dyrrah i kishte mbyllur faqet e saj, një djalosh durrsak, 22-vjeçari Adriatik Hoxha po hapte faqet e sukseseve në shtytjen e gjyles. Ndonëse me një ngarkesë psikologjike pas heqjes së bursës olimpike, Adriatik Hoxha në pistën me tartan në njërën prej mjediseve moderne të Stambollit shtyn gjylen në kufirin e 17.58 m. Rekord i ri kombëtar. Në vitin 2010, në Ankona të Italisë, për salla të mbyllura, Hoxha e kishte shtyrë gjylen në 17.38 m. Ky është tjetër rezultat premtues i atletit ambicioz durrsak, i cili premton të thyejë rekorde të tjera kombëtare. Trajneri Emin Kosturi tregon se me 18 mars në Tivar të Malit të Zi, për herë të parë në Kupën e Europës do të marrë pjesë edhe Adriatik Hoxha. “Kemi në plan të kalojmë për herë të parë kufirin e 18 metrave, për të konfirmuar synimet e avancuara për pjesëmarrje cilësore në lojërat olimpike Londër 2012. Dhe në Londër, thekson gjithnjë Kosturi do të shkojmë me rezultatin fantastik 18.50 m. Stërvitjet zhvillohen me ngarkesë dhe shifra optimiste, po arrijmë që tani në këtë faze të përgatitjes”.