Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka dalë me një deklaratë për shtyp në lidhje me punonjësin e policisë rrogore që ka rënë nga kati i 11 i një pallati në Tiranë, disa ditë më parë. AMP thotë se, ndonëse ishin bërë hetimet që ditën e ngjarjes dhe nisur nga lajmet e publikuara në rrjetet sociale, kreu edhe një verifikim të rrethanave dhe punonjësi i policisë nuk ngre asnjë pretendim për ushtrim presioni ndaj tij.

Reagimi në fjalë vjen pas një postimi të disa minutave më parë të ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha, i cili theksonte se “Është bërë tanimë një zakon shumë i ulët, që të deformohen dhe manipulohen ngjarje të caktuara dhe të goditet Policia e Shtetit, për qëllime tërësisht politike apo biznes mediatik”.

Njoftimi i AMP:

Nisur nga interesi i disa mediave, pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, e duke marrë shkas nga lajmet e publikuara në media dhe rrjete sociale, lidhur me ngjarjen e oficerit të Policisë A.S., në Komisariatin e Qarkullimit Rrugor Tirane, strukturat e AMP-së Tiranë pavarësisht se nuk kanë administruar një ankesë apo pretendim zyrtar, kryen verifikimet e nevojshme për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Kështu, në kuadër të veprimeve verifikuese, që nga momenti i marrjes dijeni, drejtuesit e AMP-së Tiranë janë paraqitur pranë Spitalit të Traumës, për t’u interesuar mbi shëndetin e punonjësit të Policisë, por dhe për të administruar çdo pretendim të mundshëm, për shkak të detyrës.

Nga deklarimi me shkrim i administruar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, punonjësi i Policisë A.S. nuk ngre asnjë pretendim lidhur me ushtrimin e ndikimit të paligjshëm, apo çdo formë tjetër presioni, shantazhi gjatë ushtrimit të detyrës dhe për shkak të saj.

Veprimet verifikuese vazhdojnë për sqarimin e plotë të ngjarjes.

Reagim i ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha në rrjetet sociale:

“Është bërë tanimë një zakon shumë i ulët, që të deformohen dhe manipulohen ngjarje të caktuara dhe të goditet Policia e Shtetit, për qëllime tërësisht politike apo biznes mediatik.

Rasti i ngjarjes së Pogradecit, ku u fry një dallgë e madhe dizinformimi me një bandë inekzistente gjobëvënësish, apo rasti i vrasjes së 14-vjeçarit nga bashkëmoshatari i tij, ku u sajuan thika e autorë të tjerë të paqenë, ishin dy raste emblematike të rritjes së nivelit të paturpësisë politike dhe mediatike.

Tani ka dalë një tjetër rast, me të cilin po riluhet loja e “të vegjëlve”, që bëjnë thirrje për protestë (kështu i është vënë emri ca partizave, që të reja mund të kenë shumë gjëra, po nuk kanë as mendësinë dhe as metodat).

Protesta sa të duan, kur të duan, po nuk rezulton që të ketë ndonjë punonjës policie, që ka tentuar të vrasë veten nga ndonjë presion për të mos zbatuar ligjin ndaj dikujt.

Rasti në fjalë është i qartë e i dokumentuar dhe e gjitha është një furtunë në gotë.

Por, meqë jo çdo e keqe vjen për keq, njerëzit mbase e kuptojnë edhe më mirë me këtë rast, që këto lëvizjet me emra të mëdhenj të këtyre “të vegjëlve” janë tamam si ajo loja “fluturon, fluturon” dhe kush ta hajë, ta hajë…

Këtyre organizatorëve, që kanë nxjerrë këto tabelat në rrjete sociale, u sugjeroj ta zëvendësojnë sloganin dhe ta bëjnë “Gënjeshtra, shpresa jonë për deputetë” dhe “Marshojmë, Gënjejmë”.
Plus, duke saktësuar respektivisht subjektet e tyre politike “Gënjejmë Bashkë” dhe “Gënjeshtra Bëhet”✌️