Nga Ardit Kërtusha

Durrësi i betonit

Para dhjetë viteve a më shumë, kur kjo shprehje mori jetë, ne ishim të rinj dhe veshi jonë ishte i pa rrahur shumë me termin beton. Për betonin dinim shumë pak, që në atë periudhe na dukej mjaftueshëm, dinim dhe mjaftoheshim me faktin që betoni sinjifikon fortësinë, rezistencën dhe pavdekshmërinë në vite.

Por e vërteta nuk paska qenë kështu. U desh tërmeti i 26 nëntorit  që të kuptonim që betoni na paska cilësi, na paska markë siç e emërtojnë specialistët e fushës.

Kuptuam që ekzistonin dhe matrapazë betoni, të cilët nuk paskan luajtur rëndom me xhepat tanë, siç bëjnë ata por akoma më keq, paskan luajtur me jetët tona, gjënë më të çmuar të njerëzimit.

Tani u trishtuam sepse e vërteta për kapitalizmin e frikshëm të vendit tonë e kalon çdo masë spekulimi, mashtrimi për arsye fitimi, ku vrasja qenka mjeti i fitimit dhe jo vrasje të lexuara nëpër histori të bëra nga vrasës me pagesë, por vrasje të bëra nga inxhinierë ndërtimi nga konstruktorë, nga zbatues si dhe nga presidentët tanë të ndjerë të firmave të ndërtimit në Shqipëri.

Lëvizja demokrafike pas viteve ‘90, ku zonat rurale të orientuara e të paorientuara u drejtuan drejt qyteteve kryesore, rriti dukshëm nevojat e këtyre qyteteve për strehim.

Ne çfarë bëmë? Meqënëse shteti ishte inekzistent, i lamë dorë të lirë këtyre matrapazëve dhe këtyre batakçinjve që të vendosnin per ne, se ku duhet ndërtuar, se sa kate mban kjo apo ajo zonë për ndërtim, na vendosën ato koefiçentët e shfrytëzimit sipas arsimit të tyre, ku arsimi  8-vjeçar për to ishte master shkencor në mos studime të thelluara pasuniversitare.

Sikur të mos mjaftonin matrapazët tashmë të shndërruar në presidentë firmash ndërtimi, të futur në këtë biznes pasi ju dha direktivë që ky biznes ishte frytdhënës dhe objekt pastrimi parash, ku mjaftonin lekët dhe komunikimi me kryetarin e Bashkisë për të dakortësuar 20% dhe projekti i tetëvjeçares bëhej gati për t’u vënë në zbatim dhe të jetë gati që më 26 nëntor të marrë dhe jetë njerezish.

Po fundja kujt i intereson?

Matrapazit vrasës apo kryebashkiakut bashkëpunëtor në krim, të cilët në petkun e fatkeqësisë natyrore ngrenë supet sikur s’ka ndodhur asgjë dhe ata s’janë të përfshirë.

Por fatkeqësitë tona janë mizore dhe selective, pasi zgjodhën vetëm pallatet e ndërtuar së fundmi dhe tek tuk ndonjë pallat të ndërtuar para viteve ‘90, por dhe këto të modifikuar me lejet e kapitalizmit duke prishur muret mbajtëse dhe trare për të zmadhuar marzhin e fitimit për bizneset e tyre.

Ndërsa ndërtimet e periudhës së italianëve si dhe pjesa dërrmuese e pallateve të ndërtuar me kontribut vullnetar rrinë kryelartë me shenjën “të banueshme” përbri.

Eh mor tërmet qe s’bie gjithandej njësoj, të vjetrit i mbajte me hatër dhe i re siç i bien gjithmonë të riut!

Tërmet largohu nga Shqipëria.

E treguam që trashëgojmë një sistem të rëndomtë emergjencash civile, ku buxheti për to u zvogëlua në mënyrë progresive çdo vit dhe është parë gjithmonë me syrin që ç’na duhen, ne në emergjencë jemi gjatë gjithë kohës, por ja që ky tërmet na tregoi që ka gjendje emergjence më të rëndë dhe më të keqe se kjo që përjetojmë çdo ditë.

Dëgjuam pa fund histori me qen, mace, kafshë kërkim-shpëtimi dhe u la mënjanë faktori njeri.

Ky faktor i patrajnuar, i pastërvitur, i pa pajisur me parimet bazë të kërkim-shpëtimit, ky faktor që tregoi që në ditë tërmetesh kishte vetëm shpirtin dhe dëshirën për të ndihmuar dhe asgjë tjetër.

Rezultati ishte që nuk mjaftojnë këto për të shpëtuar ata dhjetëra njerëz, të cilët u dergjën nën rrënoja. Ne duhet dhe mund të bëjmë më mirë.

Le të na shërbejë ky mësim për përvojë dhe për përmirësim për të gjitha organet e pushtetit, si atij qendror dhe këtij tonit lokal, ku na është krijuar radha kilometrike në institucionin më kryesor të qytetit, me qytetarë që vijnë nga çdo njësi administrative për të aplikuar për bonus qiraje. Ku shumë mirë këtë punë mund ta bënte çdo njësi administrative nëse në staf të tyre do të kishin më shumë se një inspektor.

Sikur as rradha mos të na mjaftojë, qytetarët durrsakë përballen dhe me zyra gjysmë boshe dhe kur pyesim në koefidencë punjonjësit për këtë gjendje thonë: “Po çtë bëjmë, ky është filani, kjo është nusja e fistëkut, ndërsa kjo që kam ngjitur dhe nuk vjen kurrë është goca e Seitit.”

Po kush është Seiti? Se filanin dhe nusen e fistekut po i mirëkuptojmë më shumë nga përkatësia që kanë, që janë të majtët tanë dhe gjykimi për ta bëhet subjektiv se jemi emocionalë për krahun tonë, po e Seitit pse.

Se ai është eksponenti i fortë i Partisë Demokratike në Durrës dhe ka mbajtur funksione të larta në atë kohë në administratë dhe socialistët tanë i shikonte si të deklaruar, ç’ne kjo zemërgjërësi nga ana jonë për të.

Aty nga nënvetëdija na del që ky zotëria na paska ndihmuar gjithmonë në Këshillin Bashkiak, bashkë me disa anëtarë të tjerë të kompromentuar, që vetëm të djathtë nuk paskan qenë për të kaluar vendimet tona të mbushura me pikëpyetje, madje ky negocionte dhe me perfektët e kohës qe t’i legjitimonte më pas këto vendime.

Ah more Durrës i betonit, çfarë nuk ke kaluar ti!