Thinking Machines Lab, startup-i i inteligjencës artificiale i krijuar nga ish-drejtoresha teknologjike e Mira Murati, ka prezantuar një koncept të ri që mund të ndryshojë mënyrën si komunikojmë me inteligjencën artificiale.
Bëhet fjalë për të ashtuquajturat “modele ndërveprimi”, sisteme që synojnë ta bëjnë bisedën me IA-në më të natyrshme dhe më të afërt me komunikimin njerëzor në kohë reale.
Ndryshe nga modelet aktuale, ku përdoruesi flet, pret dhe më pas merr përgjigjen, teknologjia e re po zhvillohet për të funksionuar në mënyrë simultane: modeli dëgjon, përpunon dhe përgjigjet pothuajse në të njëjtën kohë. Ekspertët e krahasojnë këtë përvojë më shumë me një telefonatë sesa me shkëmbimin klasik të mesazheve.
Sipas kompanisë, modeli eksperimental “TML-Interaction-Small” arrin të reagojë në vetëm 0.40 sekonda, një ritëm shumë pranë bisedës natyrore njerëzore dhe më i shpejtë se disa prej sistemeve të ngjashme të prezantuara deri tani nga kompani si OpenAI dhe Google.
Megjithatë, bëhet ende fjalë për një projekt në fazë kërkimore dhe jo për një produkt të gatshëm për publikun. Thinking Machines Lab ka bërë të ditur se një version i kufizuar testues do të prezantohet në muajt e ardhshëm, ndërsa publikimi më i gjerë pritet më vonë gjatë këtij viti.
Specialistët e teknologjisë e konsiderojnë idenë mjaft premtuese, pasi ajo synon ta kthejë inteligjencën artificiale nga një “asistent që pret radhën” në një bashkëbisedues të vërtetë. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse performanca reale do t’i përmbushë pritshmëritë dhe premtimet teknike të kompanisë.





