Akademia Goga Basket po përgatit ekipin e meshkujve në basketboll për sezonin e ri që do të luajë në superligë. Goga Basket për meshkuj menjëherë pas krijimit e filloi sezonin në kategorinë e parë ku u shpall kampion duke fituar të gjitha ndeshjet e luajtura dhe me diferencë të thellë pikësh, gjë që përbën një rekord më vete.

Tashmë në sezonin e ri Goga Basket po përgatitet seriozisht jo vetëm për një përballje dinjitoze por duke patur parasysh cilësinë e basketbollistëve dhe trajnerin, Goga Basket synon trofeun në sezonin e ri. Pikërisht këtyre synimeve ambicioze i shërben edhe merkatoja që sapo ka filluar ku drejtuesit e akademisë Goga Basket kanë sjellë trajner të ekipit një nga figurat e njohura të basketbollit evropian si lojtar dhe trajner Nikola Milatoviç dhe ndihmës i tij do të jetë një figurë e njohur e basketbollit durrsak Bekim Abrazhda.

Në ambientet moderne të akademisë u zhvillua edhe një ceremoni e veçantë ku u prezantua trajneri i ri ekipit Goga Basket për meshkuj i cili do të debutojë në superligë me objektiva ambiciozë. Prezantimi u zhvillua në sallën e konferencave të arenës “Dhimitraq Goga” ku morën pjesë lojtarët të akademisë të gjitha moshave, tifozë e dashamirës të sportit. Në fillim presidenti i Goga Basket, Igli Goga ka përshëndetur pjesëmarrësit dhe ka shprehur kënaqësinë e tij që një figurë e njohur e basketbollit si Milatovic bëhet pjesë e Akademisë Goga Basket.

Vetë trajneri Milatovic ka shprehur kënaqësinë e tij që bëhet pjesë e kësaj akademie me kushte bashkëkohore jo vetëm përsa i përket infrastrukturës por edhe organizmit. Milatovic vuri theksin tek investimi madhor që presidenti Igli Goga ka bërë për basketbollin dhe shprehu bindjen se me këtë infrastrukturë dhe mënyrë organizmi si dhe përkushtim maksimal që ai sheh në këtë akademi shumë shpejt do të dalin lojtarë tepër cilësorë që mund të konkurojnë edhe në arenën evropiane.

Në vëmendje të vecantë të trajnerit do të jenë grupmoshat nga të cilat do të evidentohen talentet dhe do ti jepet mundësia te gjithëve që të rrisin potencialin e tyre. Më pas u prezantua edhe karriera e Nikola Milatovic si lojtar dhe trajner, një karrierë shumë e pasur në ekipe tepër të njohura. Milatovic si lojtar ka luajtur me shume ekipe evropiane si me Budcnost, me Oviedon në Spanjë, me Sopronin në Hungari, me Holon në Izrael, me Vojvodinën etj.

Ndërsa si trajner ai ka drejtuar mjaft ekipe të njohura si Budujnost të cili e nxorri kampion jugosllavie për herë të parë në historinë e këtij klubi në vitin 2002. Ekipe të tjera që ai ka drejtuar janë ekipi kombëtar i Kinës, Vojvodina, Spartak i Moskës, Jedinstvo, Danilovgrad, Ulqin dhe në sezonin 2016-2017 ekipin e Teutës. Akademia Goga Basket me infrastrukturë moderne dhe ky organizim sportiv me një staf të kualifikuar është vetëm fillimi i një pune shumë të madhe për të sjellë ndryshimin e duhur në Basketbollin Shqiptar.