Fenomeni i shtrimit të kabllove dhe tubave, menjëherë sapo mbaron shtrimi i asfaktit dëmton infrastrukturën rrugore të qytetit

Sapo shtrohen segmentet rrugore hapen sërish. Kjo është një praktikë e njohur tashmë jo vetëm për qytetarët durrsakë, por edhe për ata të qyteteve të tjera. Vetëm në raste të veçanta gjen një segment rrugor apo një aks të padëmtuar. Shtrimi i tubave të ujësjellësit, kabllove të energjisë apo atyre optike bëhet si për ironi të fatit sa herë përfundon rehabilitimi i një rruge. Sapo qytetarët gëzohen se më në fund balta dhe pellgjet me ujë nuk do jenë më në lagjen e tyre, buzëqeshja u ngrin në buzë, pasi menjëherë një tjetër firmë nis të shpojë asfaltin e saposhtruar. Çdo qytetar durrsak është dëshmitar i këtij fenomeni tepër shqetësues. Kohët e fundit situata është më problematike në rrugën, që të çon tek universiteti “Aleksandër Moisiu”. Në këtë aks, një gjatësi rruge rreth 500-600m është kthyer në problem më vete për drejtuesit e automjeteve. Punimet e kryera në këtë aks për shtrimin e kabllove apo tubave e kanë dëmtuar rëndë asfaltin ekzistues dhe ajo që është më problematike është fakti se firmat zbatuese pasi përfundojnë punimet, nuk e kthejnë segmentin në gjendjen e mëparshme. Aksi në fjalë nuk të jep përshtypjen e një rruge të denjë për një nga lagjet kryesore të qytetit, por atë të një rruge që të çon në ndonjë fshat të thellë malor. Për vetë rëndësinë që ka (aty ndodhet universiteti dhe shumë lokale që frekuentohen në masë të madhe nga qytetarët), rruga në fjalë duhet të kishte parametra bashkohorë.

Por realiteti tregon të kundërtën. Por fatkeqësisht ky aks nuk është i vetmi që ndodhet në këtë gjendje. Fenomeni tashmë mjaft i përhapur ka shqetësuar së tepërmi dhe qytetarin e parë të Durrësit. Kryetari i bashkisë, Vangjush Dako, shprehet shumë i indinjuar me punën e firmave zbatuese, që ndërhyjnë në rrugë. Sipas Dakos, ndërhyrjet në akse kryhen kryesisht nga Ujësjellësi, KESH-i, Albtelecom-i apo firmat që shtrojnë kabllot optike. Kryebashkiaku sqaron se të gjitha firmat kanë marrë më parë leje në bashki për ndërhyrjet që do kryejnë, por ndërsa një nga pikat e kontratës së lidhur është rikthimi i segmentit rrugor në gjendjen e mëparshme, kjo për fat të keq nuk ndodh thuajse asnjëherë. Sipas Dakos rrugët që e vuajnë më tepër këtë problem janë ato të shtruara tre vitet e fundit në lagjet nr.1, 5 dhe 18. Pavarësisht se të gjithë fajësojnë firmat e ndryshme që ndërhyjnë në rrugë, një pjesë të fajit në këtë rast e ka dhe pushteti lokal. Përsa kohë në projektet për rrugët që rikonstruktohen nuk përfshihen edhe investimet që do kryhen nga Ujësjellësi, KESH-i apo të tjera firma, situata do të vazhdojë të jetë e njëjtë. Në këtë rast qytetarët janë ata që humbin më shumë. Investimet për rrugët sigurohen nga taksat që paguajmë ne. Po ndërsa pretendojmë që të kemi një infrastrukturë rrugore moderne, pellgjet e ujit, gropat, balta dhe pluhuri do të vazhdojnë të jenë shoqërueset tona edhe për shumë kohë.