Një aksident i rëndë ka ndodhur në Greqi ku kanë humbur jetën 32 persona ndërsa 85 kanë mbetur të plagosur.

Mediat vendase shkruajnë se një tren që transportonte rreth 350 pasagjerë u përplas me një tren mallrash që po udhëtonte në drejtim të kundërt pranë qytetit të Larisës gjatë natës, duke shkaktuar aksidentin tragjik.

Ekipet e shpëtimit kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe kanë punuar gjatë natës për të gjetur të mbijetuar, ndërkohë që shkaku i aksidentit nuk është zbardhur ende. Rreth 150 zjarrfikës dhe 40 ambulanca janë në vendngjarje.

Përfaqësues i Zjarrfikësve bëri të ditur se “operacioni i kërkimit dhe nxjerrjes së njerëzve është në vazhdim e sipër, duke sqaruar se “për momentin kërkimet janë fokusuar në dy vagonët e parë që janë ngritur me ndihmën e vinçave”.