Një nga betejat më të gjata dhe më domethënëse për mjedisin në Shqipëri është vlerësuar ndërkombëtarisht. Aktivistët shqiptarë Olsi Nika dhe Besjana Guri janë shpallur fitues të çmimit “Goldman” për vitin 2025, të njohur ndryshe si “Nobeli i gjelbër”, për përpjekjet e tyre 10-vjeçare në mbrojtje të lumit Vjosa nga ndërtimi i hidrocentraleve dhe për kontributin në shpalljen e tij si Park Kombëtar.

Shpallja e Vjosës si park kombëtar siguroi mbrojtjen e 270 kilometrave të lumit dhe degëve të tij, duke ruajtur në total 400 kilometra të një ekosistemi të paprekur lumor – një model unik në Evropë dhe në botë për mbrojtjen e ujërave të ëmbla.

“Parku Kombëtar i Vjosës është një model i ri, që Shqipëria ia jep Evropës, por edhe botës, se si duhet të mbrohet natyra dhe sidomos ekosistemet e ujërave të ëmbla”, u shpreh Olsi Nika. Ai theksoi se hapi i radhës është vendosja në zbatim e një plani të menaxhimit efektiv për Vjosën.

Nga ana e saj, Besjana Guri deklaroi se angazhimi i saj nuk ndalet me këtë çmim, por është një shtysë për të vazhduar aktivizmin: “Fokusi kryesor do të jetë tek Shushica, një degë kryesore e Vjosës, uji i së cilës rrezikon të devijohet”.

Çmimi “Goldman” jepet çdo vit për gjashtë aktivistë nga gjashtë kontinente, që kanë treguar lidership dhe përkushtim në çështje mjedisore në komunitetet e tyre. Këtë vit, përveç dy aktivistëve shqiptarë, fitues ishin edhe: Semia Gharbi (Tunizi), Batmunkh Luvsandash (Mongoli), Carlos Mallo Molina (Ishujt Kanarie), Laurene Allen (SHBA) dhe Mari Luz Canaquiri Murayari (Peru).

“Ka qenë një vit i vështirë, por këta udhëheqës mjedisorë janë dritë shprese për botën,” u shpreh Jennifer Goldman Wallis, nënkryetare e Fondacionit Goldman për Mjedisin.

Çmimi u themelua në vitin 1989 nga filantropët Richard dhe Rhoda Goldman dhe, deri më sot, ka nderuar 233 aktivistë nga 98 vende, përfshirë 106 gra, që kanë ndryshuar rrjedhën e mbrojtjes së natyrës në nivel global.