Aktori amerikan Kevin Spacey do të përballet sërish me akuza për ngacmim seksual, kësaj here nga prokuroria në Britaninë e Madhe.

Ai akuzohet për ngacmim seksual në Britani përgjatë tetë vjetëve, nga viti 2005 deri në vitin 2013, shkruan DailyMail.

Aktori hollivudian akuzohet gjithashtu edhe për detyrim të një personi për të kryer aktivitet seksual pa pëlqim.

Prokuroria po ashtu pretendon se një burrë është ngacmuar seksualisht nga aktori 62 vjeçar dy herë në mars 2005.

Një burrë tjetër pretendon se në gusht 2008 ishte ngacmuar seksualisht dhe ishte detyruar të kryente aktin seksual kundër dëshirës së tij. Të gjitha këto incidente të supozuara kanë ndodhur në Londër.

Ndërkaq paditësi i tretë thotë se në prill 2013 ishte ngacmuar seksualisht nga aktori Spacey.

Spacey, ylli i disa prej hiteve më të mëdha të Hollivudit të tre dekadave të fundit, si dhe i shfaqjeve televizive si House of Cards, ishte drejtor artistik i Teatrit Old Vic në Londër midis viteve 2004 dhe 2015.