Zaptimi i hapësirave publike ishte kthyer në shqetësimin më të madh të banorëve të lagjes 16 dhe 17 në Durrës. Tregtarët ambulantë prej vitesh nxirrnin rroba e sende të përdorura duke zaptuar trotuarët dhe çdo hapësirë tjetër publike me tezgat e tyre.

E paralajmëruar edhe më herët, mëngjesin e kësaj të hëne zaptuesit e hapësirave publike janë përzënë nga rrugët e lagjeve të lart përmendura.

Kryeinspektori i policisë bashkiake, Vasip Çopa në një intervistë për DurrësLajm deklaroi se lirimi i hapësirave publike në këtë zonë vjen menjëherë pas lirimit të rrugëve pranë tregut të fruta perimeve.

Qytetarë të ndryshëm e kanë përshëndetur aksionin si dhe shtuan që ai të mos zhvillohet me fushata, por të zbatohet gjithmonë duke mos lejuar që tregtarët të rikthehen sërish në rrugë.

Bashkia e Durrësit në bashkëpunim me një subjekt privat ka siguruar një mjedis për të sistemuar të gjithë tregtarët që janë larguar nga kjo zonë, në të cilin do të paguajnë një qira prej 200 lekësh në ditë për ushtrimin e aktivitetit të tyre.

Aksioni i radhës pritet të zhvendosë policinë bashkiake në të dy bulevardet kryesore të qytetit që janë zënë nga lokalet me tavolina dhe karrige.

Pas largimit të ambulantëve edhe ndërrmarrja e pastrim gjelbërimit nisi punën në këtë zonë për sisteminin e hapësirave publike.

K.H.