Një ditë pas vrasjes së policit 28-vjeçar në fshatin Baltës të Fierit, autori vijon të jetë ende i lirë, ndërsa eksiton frika se mund të jetë edhe i armatosur duke përbërë rrezik për persona të tjerë.

Ndonëse për kapjen e 23-vjeçarit Azgan Mernica janë angazhuar qindra forca policore, ato të ndërhyrjes së shpejtë dhe RENEA, si dhe janë realizuar monitorime me dron, ende nuk kanë arritur të bien në gjurmët e tij.

Kontrolle intensive janë duke u zhvilluar në tunele, bunkere dhe stane të zonës së Fierit, Tepelenës, Gjirokastrës dhe Vlorës, ndërsa burime nga policia bëjnë me dije se autori mund të tentojë të kalojë kufirin drejt Greqisë.

Së fundmi, raportime ka patur se një person i ngjashëm me Mernicën është parë në qytetin e Gjirokastrës.

Mernica qëlloi për vdekje policin e “Shqiponjave” Novruz Metalia pas një sherri për kalimin e makinave në një rrugë të fshatit. Pas krimit të rëndë, 23-vjeçari e la makinën dhe u largua me këmbë.